Portali X
Çfarë zbuloi PortaliX

Falsifikimi i lejeve të drejtimit: Prokuroria ende nuk ka formuar lënd

Pesë ditë pas raportimit të PortaliX për mbi 300 leje të dyshuara të falsifikuara, Prokuroria ende nuk ka hapur lëndë. MPB-ja thotë se po mbledh prova, ndërsa hetimi pritet të zbardhë përmasat dhe personat e përfshirë.

2 min 20
Falsifikimi i lejeve të drejtimit: Prokuroria ende nuk ka formuar lënd

Pesë ditë pasi PortaliX raportoi për rastin e falsifikimit të lejeve të drejtimit të kategorive C dhe D, të cilat dyshohet se janë lëshuar nga nëpunës të MPB-së, Prokuroria Publike ende nuk ka hapur lëndë për rastin.

Nga atje thonë se përcaktimi i institucionit që do ta trajtojë rastin do të varet nga shtrirja e keqpërdorimeve, përkatësisht nëse ato janë kryer vetëm në Shkup apo në të gjithë territorin e vendit, si dhe nga përfshirja eventuale e punonjësve të MPB-së.

Për rastin në fjalë, në një intervistë televizive, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, theksoi se MPB-ja po vepron në bazë të informacioneve të siguruara përmes kontrollit të brendshëm.

“Bëhet fjalë për vepra që janë lëndë e punës operative nga Kontrolli i Brendshëm pranë MPB-së. Në fakt, ekzistojnë dyshime të bazuara se janë kryer veprime të jashtëligjshme nga ana e shërbimeve administrative brenda Ministrisë”, deklaroi Toshkovski.

Toshkovski refuzoi të japë informacione shtesë, duke thënë se institucionet janë ende në proces të mbledhjes dhe përpunimit të fakteve. Ai siguroi se, sapo informacionet të jenë të plota, ato do t’i bëhen të ditura publikut. Ministri gjithashtu tha se për personat që kanë keqpërdorur pozitën zyrtare do të kërkohet dënimi maksimal.

Për rastin ka reaguar edhe partia opozitare LSDM, e cila ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga MPB-ja për lokalizimin dhe asgjësimin e lejeve të drejtimit që dyshohet se janë lëshuar në mënyrë të kundërligjshme.

“Për shkak të këtij rrjeti mafioz në MPB, në këtë moment në rrugët tona qarkullojnë mbi 300 vrasës potencialë – persona të cilët, pa trajnim, drejtojnë automjete të rënda transportuese ose transportojnë udhëtarë me autobusë. Kërkojmë përgjegjësi politike dhe objektive. Për një goditje kaq të rëndë ndaj sistemit të sigurisë, dorëheqja është minimumi që mund të bëhet”, ka deklaruar Natasha Popoviq, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.

Sipas burimeve të PortaliX, qytetarët kanë paguar deri në 1.400 euro për shtimin e kategorive C dhe D në lejet e drejtimit. Procedura, sipas burimeve tona, ka nisur me deklarimin e lejes së drejtimit si të humbur ose të dëmtuar. Gjatë përpunimit të dokumentit të ri, nëpunës policorë dyshohet se kanë shtuar kategorinë e kërkuar pa zbatuar procedurat ligjore.

Hetimi duhet të përcaktojë numrin e saktë të lejeve të lëshuara, qytetet ku janë përpunuar ato, personat e përfshirë në këtë skemë, si dhe nëse në mesin e të dyshuarve ka nëpunës të dënuar më parë për vepra të ngjashme.

Ndaje

Të ngjashme