Portali X
Çfarë zbuloi PortaliX

Funksionar dhe përfitues tenderësh: 8 milionë denarë nga buxheti për kompaninë e donatorit të Lëvizjes Besës

4 min 21
Funksionar dhe përfitues tenderësh: 8 milionë denarë nga buxheti për kompaninë e donatorit të Lëvizjes Besës

Kompania “I-POINT MARKETING DOOEL Tetovë”, në pronësi të Mensur Alitit, ka fituar tenderë në vlerë prej afro 6 milionë denarësh, ndërsa sipas të dhënave të platformës “Financa të Hapura”, në llogarinë e saj janë transferuar gjithsej afro 8 milionë denarë nga institucionet publike. Kompania ka vazhduar të fitojë tenderë edhe gjatë periudhës kur Aliti ishte anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë së Filmit.

Nga furnizimi me pako të Vitit të Ri dhe materiale shkollore, te shërbimet e shtypjes dhe fotokopjimit, e deri te marrja me qira e hapësirave reklamuese dhe organizimi i aktiviteteve jashtëshkollore. Këto janë vetëm disa nga shërbimet për të cilat kompania “I-Point Marketing”, në pronësi të Mensur Alitit, ka përfituar para nga institucionet shtetërore.

Aliti është ish-anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë së Filmit, donator i partisë politike Besa, e udhëhequr nga kryetari i Komunës së Tetovës dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, si dhe i lidhur me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Sipas të dhënave të analizuara nga PortaliX, kompania e tij gjatë kësaj periudhe ka lidhur kontrata me disa komuna, shkolla, një ministri dhe institucione të tjera publike, kryesisht në Tetovë, Zhelinë dhe Çair.

Nga pagesat e vogla te tenderët milionësh

Në qershor të vitit 2024, sipas të dhënave të disponueshme, evidentohet një pagesë ndaj kompanisë “I-Point Marketing” nga shkolla fillore “Gjoce Stojçeski” në Tetovë, për furnizim me materiale administrative.

Disa muaj më vonë, në nëntor të të njëjtit vit, kompania fiton një tender nga Komuna e Tetovës, e udhëhequr nga Bilall Kasami, për shërbime të shtypjes dhe fotokopjimit.

Që nga ajo periudhë, sipas të dhënave të analizuara, kompania ka fituar kontrata për një gamë të gjerë shërbimesh, nga furnizimi me materiale dhe shërbimet e marketingut, deri te aktivitetet që lidhen me arsimin.

Në mesin e institucioneve me të cilat ka bashkëpunuar janë shkolla nga Tetova, Zhelina dhe Çairi, si dhe komunat e Tetovës, Tearcës dhe Zhelinës.

Kontrata dhe pagesa janë evidentuar edhe nga Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, si dhe nga disa institucione nacionale në Tetovë.

Tenderët vazhduan edhe gjatë kohës kur ishte anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë së Filmit

Ajo që ngre dyshime për konflikt të mundshëm interesi është fakti se kompania ka vazhduar të fitojë kontrata publike edhe gjatë periudhës kur pronari i saj ishte anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë së Filmit.

Gjatë kësaj periudhe, Aliti ka marrë pjesë edhe në takime zyrtare me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, mes të cilëve edhe me Sedat Sulejmanin.

Sipas të dhënave për prokurimet publike, vlera e përgjithshme e tenderëve të fituar nga “I-Point Marketing” arrin në afro 6 milionë denarë, përkatësisht rreth 100 mijë euro.

Megjithatë, tenderët nuk kanë qenë mënyra e vetme përmes së cilës kompania ka përfituar mjete nga sektori publik.

Të dhënat e platformës “Financa të Hapura” tregojnë se shuma e përgjithshme e pagesave ndaj “I-Point Marketing” është më e lartë se vlera e tenderëve të identifikuar.

Sipas analizës së PortaliX, në llogarinë e kompanisë, mbi baza të ndryshme, janë transferuar afro 8 milionë denarë, ose rreth 128 mijë euro.

Kjo do të thotë se, përveç kontratave të lidhura përmes procedurave të prokurimit publik, janë realizuar edhe pagesa të tjera nga institucionet publike.

Donator i Besës me 3.000 euro dhe fitues i konkursit për logon e Komunës së Tetovës

Përveç marrëdhënieve afariste me institucionet publike, Aliti ka edhe lidhje financiare me partinë politike Besa.

Sipas të dhënave që posedon PortaliX, në vitin 2023, Aliti i ka dhuruar 3.000 euro partisë Besa, të udhëhequr nga Bilall Kasami.

Pikërisht Komuna e Tetovës, e drejtuar nga Kasami, është një nga institucionet që ka lidhur kontrata me kompaninë e Alitit.

Megjithatë, ushtrimi i një funksioni publik dhe përfitimi i kontratave nga institucionet publike në të njëjtën kohë, me sa duket, nuk përbën problem për Alitin.

Në vitin 2023, derisa ishte i punësuar në kabinetin e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pikërisht kompania e tij u shpall fituese e konkursit për krijimin e logos së re të qytetit.

Ky rast ngre pyetje shtesë për konflikt të mundshëm interesi, duke pasur parasysh se kompania kishte fituar një angazhim nga komuna në të cilën pronari i saj ishte njëkohësisht i punësuar.

Aliti: Kemi furnizuar shkolla me pako, kemi përgatitur cerada dhe shërbime të tjera

PortaliX kontaktoi Mensur Alitin për të kërkuar sqarime lidhur me kontratat, pagesat nga institucionet publike dhe funksionin e tij në Agjencinë e Filmit.

Gjatë bisedës, Aliti nuk shihte asgjë kontestuese në faktin se kompania e tij kishte fituar kontrata publike në periudhën kur ai ishte anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë së Filmit, e as në donacionin e tij të mëparshëm për partinë Besa.

Ai shpjegoi se kompania e tij kishte kryer edhe shërbime që nuk lidhen drejtpërdrejt me marketingun.

Si shembuj përmendi furnizimin me pako për shkollën “Vasil Gllavinov” në Çair dhe përgatitjen e një cerade për shkollën “Gjoce Stojçeski” në Tetovë.

Redaksia i dërgoi Alitit pyetje edhe përmes postës elektronike, duke kërkuar sqarime shtesë për mjetet e përfituara dhe shërbimet e realizuara, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje me shkrim.


Ndaje

Të ngjashme