Historia e viçit të vogël, në shikim të parë, duket emocionuese dhe mbresëlënëse. Megjithatë, një kërkim i shkurtër në internet zbulon se fotografia dhe historia lidhen me një ngjarje krejt tjetër, të ndodhur në Kaliforni në vitin 2020, ndërsa drejtori i QMK-së e prezantoi atë si pjesë të ngjarjeve nga zjarret në Paligrad. Historia e kafshës së quajtur Charlene është e vërtetë, por nuk ka lidhje me zjarret e fundit në Maqedoninë e Veriut. Më 9 shtator 2020, portali Agriculture.com publikoi historinë dhe fotografinë me titullin „Mrekulli: Viçi i mbijeton zjarrit të fuqishëm në Kaliforni“. Në artikull përshkruhet se si fermerja Cascarina e kishte gjetur kafshën në një fushë të përfshirë nga zjarret. „Isha në shok“, kishte rrëfyer ajo. „Kur e ngrita, ende ishte e mbuluar me mbetjet e lindjes, ndërsa toka ishte e lagur nga lindja. Qerpikët i kishte të djegur. Vetëm e shikoja me mosbesim. Nuk dija çfarë të bëja, prandaj e vendosa në mjetin me katër rrota dhe e çova në një vend të sigurt.“ Në një prononcim për PortaliX, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali, pranoi se fotografia me viçin nuk është bërë në Maqedoninë e Veriut, por se është përdorur vetëm si ilustrim i ngjarjes. Ai pretendon se skena e paraqitur në fotografi ka qenë identike me atë që, sipas tij, ka ndodhur gjatë zjarreve në vend. „Ne dje patëm pikërisht të njëjtën ngjarje këtu. Unë isha në vendngjarje, te zjarri. Askush nuk ma dërgoi fotografinë, unë isha personalisht atje. Isha bashkë me zjarrfikësit dhe e pamë atë skenë. Nuk bëra fotografi, sepse nuk jam njeri i fotografive. Fotografia nuk është nga zjarri, por ngjarja është e tillë. Ne e shpëtuam viçin dhe më pas e mori bariu. Ngjarja është e njëjtë. Askund nuk shkruan se fotografia është bërë në vendngjarje“, deklaroi Ali. Pasi PortaliX publikoi se fotografia nuk ishte realizuar gjatë zjarreve në Maqedoninë e Veriut, Ali e korrigjoi edhe statusin e tij fillestar në Facebook, duke shtuar sqarimin se fotografia ishte ilustruese. Historia e viçit, e shoqëruar me fotografinë nga Kalifornia, u publikua brenda një kohe të shkurtër nga një numër i madh mediash në vend, pa u verifikuar paraprakisht origjina e saj.






