Pesë ditë i janë dashur Ministrisë së Punëve të Brendshme për t’iu përgjigjur një pyetjeje të thjeshtë – a është shkelur Ligji për automjete, pasi automjetet e reja për grumbullimin e mbeturinave të NP „Higjiena Komunale“ – Shkup dhe ato të Ndihmës së Shpejtë u vozitën nëpër Shkup pa asnjë lloj targe regjistrimi, për të përfunduar më pas në videospotet e kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski dhe ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Por, edhe në përgjigjen që morëm, nuk ka një qëndrim konkret – nëse është shkelur ligji apo jo. Nga MPB thonë se kanë pranuar një kërkesë nga Qyteti i Shkupit dhe kanë vepruar në përputhje me të.
„Paraprakisht, nga Qyteti i Shkupit deri te MPB-ja ishte dorëzuar një kërkesë përkatëse lidhur me automjetet në fjalë, pas së cilës zyrtarët policorë kanë vepruar në përputhje me kërkesën, me ç’rast automjetet, nën shoqërimin e policisë, janë përcjellë nëpër rrugët publike deri në lokacionin e paraparë në kërkesë“, thonë nga MPB-ja për PortaliX.
Qëndrimi i MPB-së, në vend që të japë përgjigje, ka hapur edhe më shumë pikëpyetje – a ka dorëzuar Qyteti i Shkupit brenda së njëjtës ditë kërkesa për dy ngjarje të ndryshme, të cilat janë realizuar me disa ditë diferencë?
Nga përgjigjja e tyre nuk bëhet e ditur as nëse është respektuar ligji, përkatësisht nëse automjetet kanë pasur vërtetim për vozitje provuese, urdhër për vozitje provuese apo targa provuese, të cilat do të duhej të ishin të dukshme, por nuk ishin të dukshme në asnjërin prej këtyre automjeteve.
Nëse nuk kanë pasur asnjërën prej dokumenteve apo targave të lartpërmendura, asnjë prej automjeteve nuk do të duhej të lejohej të qarkullonte në trafik, e aq më pak për të bërë PR për pushtetin.
PortaliX paraprakisht ka raportuar se me nxjerrjen e automjeteve të paregjistruara në rrugë publike shkelet ligji. Por, përgjigjja e MPB-së, përveçse nuk sqaron nëse është respektuar ligji, dëshmon qartë se askush nuk ka ndërmend t’i kërkojë përgjegjësi askujt.






