Kontrolli i Brendshëm i MPB-së dhe Prokuroria Themelore Publike po hetojnë dyshimet për shtimin e paligjshëm të kategorive në lejet e drejtimit.
Sipas burimeve të PortaliX-it, qytetarët dyshohet se paguanin nga 1.400 euro dhe më pas e paraqitnin lejen si të humbur ose të dëmtuar. Gjatë përpunimit të dokumentit të ri, nëpunës të dyshuar policorë ua shtonin kategorinë e kërkuar pa zbatimin e procedurës ligjore.
Kontrolli i Brendshëm ka marrë më shumë se 50 lëndë, ndërsa sipas informacioneve jozyrtare, në këtë mënyrë mund të jenë lëshuar mbi 300 leje drejtimi. Dyshohet se më së shpeshti janë shtuar kategori për drejtimin e automjeteve të rënda.
Nga MPB-ja konfirmuan se për rastin është njoftuar Prokuroria kompetente.
“Në koordinim me Prokurorinë po ndërmerren aktivitetet përkatëse për zbardhjen e rastit, pas së cilës opinioni do të njoftohet në mënyrë të duhur”, deklaruan nga MPB-ja për PortaliX.
Hetimi duhet të përcaktojë numrin e lejeve të lëshuara në mënyrë të paligjshme, personat e përfshirë dhe nëse mes të dyshuarve ka nëpunës të dënuar më parë për vepra të ngjashme.






