Portali X
Çfarë zbuloi PortaliX

Nga i burgosur në drejtor burgu: Kush është Oliver Stankovski?

2 min 1894
Nga i burgosur në drejtor burgu: Kush është Oliver Stankovski?

Sipas informacioneve deri te të cilat ka ardhur PortaliX, rasti i tij daton që nga viti 1998, kur ai ka qenë në paraburgim për veprën penale “Rrëmbim”.

Vite më vonë, në dhjetor të vitit 2006, Stankovski ka filluar vuajtjen e dënimit me burg, ndërsa në shkurt të vitit 2007, për arsye sigurie, është transferuar në repartin e burgut në Kriva Pallankë, ku ka qëndruar deri në prill.

Emri i tij shfaqet sërish në një dokument zyrtar në vitin 2016.

Në “Gazetën Zyrtare” nr. 222, të 28 dhjetorit 2016, në Vendimin për faljen e personave të dënuar nga presidenti i atëhershëm Gjorgje Ivanov, nën numrin rendor 21 figuron “Oliver Branko Stankovski nga Kumanova”. Me këtë vendim, ai është liruar pjesërisht nga vuajtja e mëtejshme e dënimit me burg, për një periudhë prej katër muajsh.

Pothuajse tri dekada pas paraburgimit të parë, Stankovski tani është emëruar për të drejtuar një burg.

Por këtu nuk përfundojnë informacionet deri te të cilat ka ardhur PortaliX. Sipas të dhënave tona, ndaj Stankovskit ekziston edhe një kallëzim lidhur me keqpërdorimin e dyshuar të një veture zyrtare. Për statusin aktual të këtij rasti, PortaliX do të kërkojë informacione zyrtare nga institucionet kompetente.

Dy vjet më parë Qeveria veproi ndryshe

Rasti ngjan me emërimin e Ibrahim Eljezit në korrik të vitit 2024. Ai ishte propozuar për ushtrues detyre zëvendësdrejtor në sistemin e burgjeve, por pasi në opinion u publikuan informacione se më parë kishte vuajtur dënim me burg, Qeveria njoftoi se pas “kontrolleve shtesë” propozimi nuk ishte pranuar dhe Eljezi nuk e mori detyrën.

Pikërisht për këtë arsye, rasti i Stankovskit hap një pyetje kyçe: Çfarë treguan kontrollet kësaj radhe?

A ishte Qeveria në dijeni për dënimin e tij të mëparshëm dhe faljen para se ta emëronte drejtor të INP Burgu Shkup? A kishte informacion gjatë kontrolleve edhe për kallëzimin lidhur me veturën zyrtare? Dhe pse dënimi i mëparshëm me burg çoi në tërheqjen e vendimit kadrovik në rastin e Eljezit, ndërsa kësaj radhe nuk ishte pengesë për emërim?

PortaliX tentoi të kontaktojë edhe Stankovskin për të marrë përgjigjen e tij lidhur me këto informacione, por deri në publikimin e këtij teksti ai nuk iu përgjigj thirrjeve tona telefonike.

PortaliX do të kërkojë përgjigje edhe nga Qeveria dhe Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve.


Ndaje

Të ngjashme