Portali X
Çfarë zbuloi PortaliX

Nga i dënuar deri te truproja personale e kryeministrit: Kush e ka kontrolluar Oliver Stankovskin?

Nga ringu i boksit, përmes vuajtjes së dënimit me burg dhe angazhimit në sigurimin e kryeministrit Hristijan Mickoski – kështu duket rruga profesionale e drejtorit të sapoemëruar të Shutkës, Oliver Stankovski.

1 min 206
Nga i dënuar deri te truproja personale e kryeministrit: Kush e ka kontrolluar Oliver Stankovskin?

Drejtori i sapoemëruar i burgut të Shutkës, Oliver Stankovski, në këtë funksion vjen nga Drejtoria e Gjashtë, ku ka qenë i angazhuar në Departamentin për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara. Në kuadër të punës së tij, ai ka qenë pjesë edhe e ekipit për sigurimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Hristijan Mickoski.

Sipas informacioneve të PortalX, Stankovski që në vitin 1998 ka qenë në paraburgim për veprën penale “Rrëmbim”, ndërsa në dhjetor të vitit 2006 ka filluar vuajtjen e dënimit me burg. Në shkurt të vitit 2007, për arsye sigurie, ai është transferuar në repartin e burgut në Kriva Pallankë.

Se i njëjti person ka vuajtur dënim me burg edhe për vepra të tjera konfirmohet edhe nga Vendimi për falje, i publikuar në “Gazetën Zyrtare” në dhjetor të vitit 2016. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, ia kishte shkurtuar dënimin e mëtejshëm me katër muaj.

Angazhimi i Stankovskit në sigurimin e kryeministrit ngre pyetje lidhur me kontrollet e sigurisë dhe kriteret mbi bazën e të cilave ai ishte caktuar në këtë pozitë.

Nga MPB presim përgjigje nëse, gjatë caktimit të tij, institucioni dispononte me informacionet për dënimin e tij të mëparshëm, nëse ato ishin marrë parasysh gjatë vlerësimit të sigurisë dhe nëse Stankovski posedonte certifikatë përkatëse të sigurisë.

Për më tepër, sipas informacioneve të PortalX, ndaj Stankovskit ekziston një kallëzim që lidhet me keqpërdorim të pretenduar të një automjeti zyrtar. Statusi aktual i rastit është duke u verifikuar më tej.

PortalX u përpoq sërish të kontaktojë me Stankovskin për të marrë qëndrimin e tij, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve tona telefonike.

Ndryshe, Stankovski u emërua në funksionin e drejtorit vetëm pesë ditë më parë, pas dorëheqjes së drejtorit të deriatëhershëm, Bobi Utkovski, larg vëmendjes së mediave dhe pa njoftim për opinionin publik.

Ndaje

Të ngjashme