XLajmeXStory

Banor i Karposhit “fitoi” 10.8 milionë euro për një muaj e gjysmë në online poker: Fat apo kurdisje?

Një përdorues nga komuna e Karposhit në Shkup, brenda vetëm një muaji e gjysmë, ka realizuar fitime prej më shumë se 10,8 milionë eurosh në platformën shtetërore të lojërave të fatit online “Megawin”.

Sipas të dhënave të disponueshme, përdoruesi me kodin 165234, në periudhën nga 22 prilli deri më 3 qershor të këtij viti, ka regjistruar fitime në vlerë prej rreth 10,9 milionë eurosh, ndërsa gjatë së njëjtës periudhë ka investuar më shumë se 4,1 milionë euro.

Analiza tregon se pjesa më e madhe e fitimeve është realizuar brenda një periudhe jashtëzakonisht të shkurtër. Vetëm më 1 qershor, përdoruesi ka realizuar fitime prej mbi 1,24 milionë eurosh. Më 29 maj fitimet kanë arritur pothuajse 1,13 milionë euro, ndërsa dy ditë më vonë, më 31 maj, kanë tejkaluar 1,11 milionë euro.

Vëmendje të veçantë tërheqin edhe pagesat individuale. Fitimi më i madh i regjistruar kap vlerën prej mbi 32.000 eurosh dhe, sipas të dhënave, është realizuar të paktën dy herë – më 1 dhe 2 qershor – me një bast prej rreth 2.440 eurosh në ruletën online.

Dyshime shtesë ngre edhe fakti se më 18 maj, sipas të dhënave, i njëjti përdorues ka fituar plot 178 herë radhazi. Edhe pse fitimet në vetvete nuk përbëjnë dëshmi për ndonjë parregullsi, një seri e tillë hap pyetje mbi probabilitetin statistikor dhe funksionimin e sistemit.

Duke ndjekur aktivitetin e profilit, lind në mënyrë të pashmangshme dilema: a bëhet fjalë për një fat të jashtëzakonshëm apo për diçka që meriton vëmendje shtesë nga institucionet kompetente?

Rasti hap gjithashtu një sërë pyetjesh lidhur me sigurinë e platformës. Kush ka qasje administrative në sistem? Kush e certifikon gjeneratorin e numrave të rastësishëm? A ekziston një analizë e pavarur e softuerit? Sa kohë ruhen regjistrat elektronikë (log-et) dhe a ekziston mundësia që ato të ndryshohen ose të fshihen?

Pyetje në këtë drejtim janë dërguar te Lotaria Shtetërore, si dhe te Drejtoria për Inteligjencë Financiare dhe Banka Popullore, duke pasur parasysh se pagesat në platformë kryhen ekskluzivisht përmes llogarive bankare.

Nga Banka Popullore na u përgjigjën se organizatorët e lojërave të fatit, në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, janë gjithashtu subjekte që kanë detyrimin të ndërmarrin masa dhe veprime për zbulimin dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Sipas tyre, Banka Popullore nuk ka kompetenca ligjore për mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të këtyre subjekteve.

“Në kuadër të kompetencave të saj ligjore, Banka Popullore kryen mbikëqyrjen e bankave dhe vlerëson sistemet e vendosura për menaxhimin e rrezikut nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit. Banka Popullore ka miratuar një akt nënligjor (Vendim) me të cilin rregullohet më hollësisht mënyra e zbatimit të masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit për subjektet që janë nën mbikëqyrjen e saj, përfshirë edhe bankat”, thuhet në përgjigje.

Interesant është fakti se pasi dërguam pyetjet tona, aktiviteti i përdoruesit ra ndjeshëm. Deri në orën 14:00 të ditës së sotme, ishin regjistruar fitime prej rreth 7.600 eurosh, një shumë e papërfillshme krahasuar me shumat milionëshe të regjistruara më herët.

Nëse bëhet fjalë për fat të jashtëzakonshëm, për një pamundësi matematikore apo për një rast që kërkon verifikim të thelluar institucional, mbetet që këtë ta përcaktojnë organet kompetente.

Autore: Kristina Ivanovska

Related Articles

Back to top button