XLajmeXStory

Ndriçim publik vetëm për Bajram, Komisioni konstaton diskriminim etnik nga Komuna e Gazi Babës

Komuna e Gazi Babës i ka diskriminuar banorët e rrugës “Metodija Andonov Çento 2” në lagjen Ekonomia në bazë të përkatësisë etnike. Këtë e ka konstatuar Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, pas ankesës së paraqitur nga banorët e kësaj rruge. Sipas vendimit të Komisionit, Komuna ua ka ndërprerë në mënyrë të qëllimshme ndriçimin publik pas orës 21:00, duke i privuar nga ky shërbim, edhe pse ata paguajnë të njëjtat detyrime dhe shërbime komunale si banorët e tjerë.

“Ju atje vidhni rrymë”, këtë përgjigje e kanë marrë banorët e lagjes Ekonomia kur janë drejtuar deri te Komuna e Gazi Babës dhe operatori ekonomik JES Global, duke kërkuar zgjidhje për problemin me të cilin përballen. Parashtruesi thekson se përskaj faktit që paguajnë shërbime të njejta komunale sikurse lagjet fqinje, kanë vërejtur dallime të dukshme në sigurimin e shërbimeve publike.  

“Më 20.03.2026, për festën e Bajramit, ndriçimi nuk është ndërprerë, ndaj banorët konsiderojnë se Komuna i ka “qerasur” me ndriçim atë ditë, me ç’rast, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, ka konfirmuar perceptimin se i trajton si njerëz që i përkasin një grupi që meriton të “qeraset”, e jo si një grup që duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Komisionit.

Komuna e Gazi Babës ka mohuar pretendimet për trajtim të pabarabartë të banorëve të lagjes Ekonomia, në përgjigjen e saj ndaj kërkesës për sqarim të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Sipas Komunës, ndërprerja e ndriçimit publik në rrugën “Metodija Andonov Çento 2” është bërë për arsye preventive.

“Ndërprerja e ndriçimit publik në këtë rrugë është bërë për shkak të ngarkesës së rrjetit, e cila paraqet problem serioz teknik që mund ta vërë në rrezik jetën e qytetarëve”, thuhet në arsyetimin e Komunës së Gazi Babës.

Komuna shton se një tjetër arsye për ndërprerjen e ndriçimit kanë qenë dyshimet për kyçje të paligjshme në rrjetin elektrik.

Megjithatë, Komisioni ka vlerësuar se këto argumente nuk janë mbështetur me prova të besueshme. Sipas tij, raporti i operatorit ekonomik, në të cilin është mbështetur Komuna, nuk është i vulosur dhe i arkivuar në përputhje me ligjin, ndërsa mungojnë edhe elementet që dëshmojnë autenticitetin e tij.

Po ashtu, Komisioni thekson se Komuna nuk ka dëshmuar se ka shteruar masat e tjera për zgjidhjen e problemit, nuk ka provuar ekzistimin e kyçjeve të paligjshme dhe, në vend që të adresonte problemin konkret, e ka privuar të gjithë komunitetin nga një shërbim publik.

Në arsyetimin e tij, Komisioni vlerëson se Komuna e Gazi Babës nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor të paraparë me nenin 22, paragrafi 1, pika 4 e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, për të siguruar ndriçim publik për banorët e rrugës “Metodija Andonov Çento 2” në lagjen Ekonomia.

Si rrjedhojë, banorëve të kësaj rruge nuk u është garantuar qasje e barabartë në të mira dhe shërbime publike në krahasim me banorët e rrugëve përreth. Për këtë arsye, Komisioni ka konstatuar se Komuna ka kryer diskriminim të drejtpërdrejtë në bazë të prejardhjes dhe përkatësisë kombëtare ose etnike, në fushën e qasjes në të mira dhe shërbime, ndaj banorëve të rrugës “Metodija Andonov Çento 2”.

Komisioni i ka rekomanduar Komunës që të ndërpresë zbatimin e pabarabartë të kompetencave të saj dhe, brenda 30 ditëve, të ndërmarrë masa për zgjidhjen e problemit. Në të kundërtën, ka paralajmëruar se do të iniciojë procedurë për kundërvajtje.

Kjo nuk është hera e parë që banorët e lagjes Ekonomia ankohen për neglizhencë nga Komuna e Gazi Babës. Më 2 shtator 2025, PortaliX publikoi një storje në të cilën banorët denoncuan zvarritjen e punimeve në rrjetin e kanalizimit, të cilat kishin dëmtuar rrugën e vetme që e lidh lagjen me pjesët e tjera. Ata theksonin se, ndonëse paguajnë rregullisht tatimet, janë lënë pas dore dhe se shumicën e investimeve në lagjen e tyre i kanë realizuar me vetëkontribut.

Lidhur me rasti në fjalë, banorët deklarojnë për PortaliX se problemi mbetet i pazgjidhur. Sipas tyre, me fillimin e sezonit veror është ndryshuar vetëm orari i fikjes së ndriçimit publik: në vend që të ndërpritet në orën 21:00, siç ndodhte më parë, tani ai fiket rreth orës 23:30 ose 24:00.

Related Articles

Back to top button