LokalXLajme

M-NAV rrezikon të mbetet pa kontrollorë fluturimi, konkurset anulohen e rihapen

A mund të përballet Maqedonia e Veriut me mungesë serioze të kontrollorëve të trafikut ajror në vitet e ardhshme? Kjo pyetje po shtrohet gjithnjë e më shumë, pasi procesi i angazhimit të kuadrove të reja po zhvillohet me ritëm të ngadaltë, ndërsa konkurset anulohen dhe rihapen për arsye procedurale, raporton PortaliX.

Më 3 prill të këtij viti, M-NAV nënshkroi kontratë me kompaninë daneze “GATE Aviation Training” për trajnimin e gjashtë kandidatëve për kontrollorë të trafikut ajror. Sipas informacioneve me të cilat disponon PortaliX, procesi i testimit ka rezultuar jashtëzakonisht i suksesshëm dhe grupi i kandidatëve konsiderohet ndër më cilësorët që janë paraqitur ndonjëherë.

Nga 107 kandidatë të përzgjedhur për trajnim dhe testim, kandidati i renditur i pari ka arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh, ndërsa kandidati i fundit që ka kaluar pragun ka grumbulluar 92.5 pikë. Të gjithë kandidatët kanë kaluar testet FIS 1 dhe FIS 2, të cilat përfshijnë njohuri nga komunikimi aeronautik në gjuhën angleze, radio-frazeologjia, rregullat e aviacionit, meteorologjia, navigimi, procedurat e sigurisë si dhe pjesën praktike në simulator ose komunikim radio.

Megjithatë, pavarësisht rezultateve të larta, procedura nuk arriti të përfundojë brenda afatit ligjor prej 90 ditësh. Si pasojë, konkursi u anulua para se kandidatët të kalonin fazën e intervistimit dhe kontrolleve mjekësore.

Drejtori i M-NAV, Vlladimir Ristevski, mohon se ka pasur parregullsi në proces.

“Përzgjedhjen e përfunduam, por nuk pati kohë që kandidatët të intervistohen dhe të dërgohen për kontroll mjekësor jashtë vendit. Procedura do të vazhdojë me publikimin e shpalljes për kandidatët që kanë kaluar testin FIST. Nuk ka asgjë kontestuese, përveç respektimit të afateve të përcaktuara ligjore për vendimmarrje”, deklaroi Ristevski.

Megjithatë, siç mëson PortaliX, hapja e një konkursi të ri vetëm për kandidatët që tashmë e kanë kaluar testin FIST mund të krijojë dilema juridike. Një procedurë e tillë mund të interpretohet si kufizim i konkurrencës dhe favorizim i kandidatëve nga konkursi paraprak, duke lënë jashtë persona të tjerë që mund të kenë interes të aplikojnë.

Por çështja procedurale mund të jetë vetëm një pjesë e problemit.

Sipas informacioneve të siguruara nga PortaliX, M-NAV aktualisht ka mungesë prej së paku 15 kontrollorësh të trafikut ajror. Situata mund të bëhet edhe më serioze në vitet e ardhshme, pasi brenda një periudhe prej katër deri në gjashtë vitesh, të paktën 40 kontrollorë pritet të plotësojnë kushtet për pensionim.

Duke pasur parasysh se përgatitja e një kontrollori të ri të trafikut ajror zgjat minimumi tre vjet, lind pyetja nëse institucioni ka një strategji afatgjatë për të siguruar vazhdimësinë e këtij shërbimi kritik për sigurinë e trafikut ajror.

Për momentin, përgjigjet mungojnë. Ndërsa procedurat administrative vazhdojnë të zvarriten, koha për përgatitjen e gjeneratës së re të kontrollorëve po bëhet gjithnjë e më e kufizuar, raporton PortaliX.

Related Articles

Back to top button