
Javën e kaluar, më 28 qershor, një migrant 53-vjeçar nga Pakistani i dha fund jetës brenda oborrit të Qendrës së Pritjes për Azilkërkues në Vizbeg, mëson PortalX.
Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, nën kompetencën e së cilës funksionon qendra, konfirmojnë se është regjistruar një rast vdekjeje i një azilkërkuesi të vendosur në Vizbeg. Menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar institucionet kompetente, Ndihma e Shpejtë Mjekësore dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
“Për përcaktimin e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes kompetente janë organet hetimore, të cilave ne si Ministri, së bashku me Qendrën e Pritjes, u qëndrojmë në dispozicion me të gjithë dokumentacionin dhe informacionet që posedojmë. Menjëherë pas ngjarjes u njoftuan institucionet kompetente. Ministria dhe Qendra e Pritjes po bashkëpunojnë plotësisht gjatë procedurës”, thanë nga ministria.
Megjithatë, rasti merr një dimension tjetër kur merret parasysh edhe gjendja shëndetësore e viktimës.
Migranti nga Pakistani ishte transferuar në Vizbeg nga Qendra Transitore e Tabanocit, e cila shërben si qendër pritëse për migrantët dhe azilkërkuesit pranë kufirit maqedono-serb.
Sipas protokolleve, transferimi i tij në Vizbeg duhej të shoqërohej me dokumentacion mjekësor që dëshmonte gjendjen e tij shëndetësore. Sipas informacioneve nga terreni, gjatë qëndrimit në Tabanoc, në një konsultë me mjekun ishte evidentuar se ai kishte probleme me shëndetin mendor.
Informacionet e PortalX tregojnë se në kuadër të Qendrës së Pritjes në Vizbeg nuk ka mjekë që mund t’u ofrojnë migrantëve kujdes shëndetësor dhe mbështetje psikologjike.
PortalX e pyeti Ministrinë nëse ajo dhe Qendra e Pritjes në Vizbeg ishin njoftuar për historinë mjekësore të shtetasit pakistanez gjatë transferimit nga Tabanoci, si dhe pse qendra funksionon pa një mjek kujdestar ose ekip mjekësor të përhershëm që do të siguronte mbikëqyrje 24-orëshe. Për këto pyetje nuk morëm përgjigje konkrete.
“Vendosja e azilkërkuesve në Qendrën e Pritjes bëhet në bazë të vendimit të Qendrës kompetente për Punë Sociale, në përputhje me Ligjin për Mbrojtje Sociale. Gjatë pranimit të përfituesit pranohet edhe dokumentacioni përkatës që shoqëron lëndën, sipas procedurave të përcaktuara. Për shkak të detyrimit ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale dhe konfidencialitetin e dokumentacionit shëndetësor, Ministria nuk mund të komentojë informacione që kanë të bëjnë me gjendjen shëndetësore të një personi konkret”, u përgjigjën nga ministria.
Megjithatë, ministria nuk jep asnjë sqarim konkret se si e arsyeton faktin që Qendra e Pritjes në Vizbeg funksionon pa mjek të përhershëm, ndonëse aty strehohen kategori të cenueshme dhe azilkërkues që shpesh mbërrijnë me trauma të rënda.
“Qendra e Pritjes është institucion për akomodim dhe mbrojtje sociale të azilkërkuesve. Ligji për Mbrojtje Sociale parashikon sigurimin e kujdesit shëndetësor për përfituesit sipas nevojave të tyre, ndërsa shërbimet shëndetësore ofrohen përmes sistemit shëndetësor dhe institucioneve kompetente shëndetësore. Qendra e Pritjes vepron në përputhje me kompetencat ligjore dhe procedurat e vendosura për sigurimin e qasjes në kujdes shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Politikës Sociale.
Në pyetjen se cilat masa urgjente do të ndërmerren për të siguruar ndihmë të vazhdueshme mjekësore dhe psikologjike në qendër pas kësaj ngjarjeje tragjike, nga dikasteri që drejtohet nga Fatmir Limani thanë se fillimisht do të shqyrtohen gjetjet e organeve kompetente dhe, nëse konstatohet nevoja, do të ndërmerren masa për përmirësimin e sistemit.
Autor: Petar Klinçarski



