LokalXLajme

Në PU Krivollak u dorëzuan sisteme të reja artilerie “boran” dhe uniforma të reja për Armatën

Në poligonin ushtarak “Krivollak”, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski dhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-major Sasko Lafçiski, së bashku me ambasadorin e Republikës së Turqisë, Fatih Ulusoj, morën pjesë në qitjen artilerike me sistemet e reja të artilerisë “boran”, të furnizuara në kuadër të procesit për modernizimin dhe pajisjen e Armatës. Në Krivollak u prezantua edhe uniforma e re për pjesëtarët e Armatës, e furnizuar në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim ushtarak-financiar me Turqinë aleate.

“Kjo është një ditë historike për Armatën dhe Ministrinë e Mbrojtjes”, tha Misajllovski, në poligonin ushtarak Krivollak, ku zyrtarisht u pranuan-dorëzuan sistemet e reja të artilerisë “boran” dhe uniforma të reja për Armatën”.

Ai theksoi se Ministria po i vë në dispozicion Armatës obusët e rinj “boran”, ndërsa mund të shihej edhe testimi i tyre dhe vënia zyrtare në përdorim. 

“Me të vërtetë kemi një partner strategjik shumë të mirë, Turqinë mike vëllazërore, prandaj dua të falënderoj ambasadorin, atasheun, por edhe Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë dhe Qeverinë e Turqisë, sepse me këtë tregojmë se po afrohemi vërtet gjithnjë e më shumë për shumë gjëra të bukura në të ardhmen. Takimet më të shpeshta dhe komunikimi i përbashkët tregojnë se çfarë lloj projektesh mund të kemi së bashku. Besoj se në të ardhmen do të kemi shumë projekte të tjera të mëdha”, theksoi ministri.

Ai iu referua edhe katër mijë palëve të reja të uniformave të plota, nga marrëveshja e përbashkët dypalëshe e nënshkruar me Turqinë, me vlerë mbi dy milionë e gjysmë dollarë, të cilat do t’i jepen drejtpërdrejt Ministrisë së Mbrojtjes, për Armatën.

“Këto janë vetëm disa nga gjërat. Presim që së shpejti të mbërrijnë mbi 3,500 komplete çizmesh nga Turqia. Në periudhën e ardhshme edhe gjëra shtesë, siç janë snajperët për forcat tona speciale, por edhe automjetet e pablinduara. Këto janë shumë, shumë projekte të përbashkëta”, tha ministri.

Në fjalimin e tij shefi i shtatmadhorisë së Armatës tha se në një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër prej vetëm tre muajsh pas mbërritjes së obusëve të rinj “boran”, ushtarët tanë demonstruan aftësinë dhe profesionalizmin që zbukuron Armatën. Sot, ata jo vetëm që konfirmuan gatishmërinë e tyre, por edhe prezantuan fuqinë taktike dhe saktësinë e aftësive të reja të zjarrit në dispozicion të Armatës.

“Mirënjohje e sinqertë për partnerin tonë strategjik, Republikën e Turqisë, për mbështetjen e saj vëllazërore dhe afatgjatë. Partneriteti ynë është provë se miqësitë e vërteta ndërtohen mbi besimin, respektin e ndërsjellë dhe qëllimet e përbashkëta. Bashkëpunimi i sotëm është një tjetër konfirmim i angazhimit tonë të përbashkët për paqen, stabilitetin dhe sigurinë si në vend, përmes forcimit të kapaciteteve tona, ashtu edhe në misionet ndërkombëtare ku qëndrojmë krah për krah, duke mbrojtur paqen botërore”, nënvizoi Lafçiski

Related Articles

Back to top button