Punë në kushte ekstreme, pa armë, të ekspozuar ndaj rreziqeve dhe me numër të pamjaftueshëm gardianësh – ky është realiteti i burgjeve në Maqedoninë e Veriut. Ata përballen jo vetëm me dhunën dhe kërcënimet brenda institucioneve të burgjeve, por edhe jashtë tyre. Një rast i fundit është ai i një gardiani, i cili pati një zënkë brenda burgut dhe më pas iu vu flaka veturës së tij.
Në janar të këtij viti, një gardian në burgun e Velesit humbi jetën pas një plumbi në kokë.
Po ashtu, rastet e korrupsionit dhe keqëpërdorimit të detyrës janë gjithashtu shqetësuese. Aktualisht, Prokuroria Publike po heton 13 raste të dyshuara për përfshirjen e gardianëve në krime të organizuara, përfshirë trafikim të sendeve të ndaluara si telefona brenda burgjeve.
Një nga arsyet kryesore për këtë situatë është mungesa e mbështetjes psikologjike për gardianët. Psikologët theksojnë se stresi i përballimit të të burgosurve me histori kriminale të rënda, bashkë me mungesën e mbështetjes profesionale, përkeqëson gjendjen psikologjike të punonjësve të burgjeve.
Sipas psikologes Sumea Ramadani, është urgjente që autoritetet kompetente të krijojnë një sistem mbështetjeje psikologjike për këta punonjës, për të parandaluar pasojat e rënda psikologjike dhe fizike që mund të kenë ata gjatë punës. Shtetet evropiane, përfshirë Kosovën dhe Turqinë, kanë zhvilluar sisteme mbështetjeje për gardianët, ndërsa Maqedonia e Veriut ende nuk ka ndërmarrë hapa në këtë drejtim.
Nëse kjo situatë vazhdon, gjendja mund të përkeqësohet, siç paralajmëron edhe Avokati i Popullit, duke e bërë këtë profesion akoma më të rrezikshëm dhe stresues për ata që janë të detyruar ta kryejnë.