
6 milionë euro do t’i kushtojë Maqedonisë së Veriut ndërprerja e kontratës me kompaninë nga Bosnja dhe Hercegovina, “Energoinvest”, e cila fillimisht ishte e angazhuar për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Maqedoni e Veriut–Shqipëri. Përmes një postimi në Facebook, kompania njoftoi se është një hap pranë fitimit të rastit në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit (DAB).
“Me këtë vendim u konfirmuan qëndrimet kyçe të ‘Energoinvest’, përfshirë edhe të drejtën për rreth 6 milionë euro (që skadon më 10 prill 2026, me kamatë shtesë deri në pagesë), ndërkohë që refuzohen kërkesat më të rëndësishme të palës tjetër në vlerë prej mbi 19.3 milionë euro”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, nuk dha një përgjigje të qartë nëse kjo shumë duhet të paguhet në këtë fazë. Edhe pse DAB ka refuzuar kërkesën e MEPSO-s dhe ka pranuar atë të “Energoinvest”, ajo theksoi se shteti ende ka shanse përmes ankesës.

“Në nivel të Qeverisë do të bëjmë ankesë. Besoj se deri në fund të javës së ardhshme do t’i dimë hapat e ardhshëm. Avokatët, të angazhuar nga SHBA, na kanë thënë se kemi shanse të mira”, deklaroi Bozhinovska.
Ndërkohë, në fillim të muajit, MEPSO promovoi projektin e interkoneksionit 400 kV me Shqipërinë, duke njoftuar se përmes BERZH-it ka siguruar kredi prej 37 milionë euro dhe një grant shtesë prej 12 milionë euro përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Për realizimin e projektit, këtë herë është përzgjedhur një konsorcium prej tre kompanish: “Dalekovod” nga Kroacia, “Elnos BL” nga Bosnja dhe Hercegovina dhe “Kodar Elektromontazha” nga Serbia.
Por kush janë këto kompani?
Rasti “Përçuesit e vjedhur”, i publikuar nga revista kroate “Nacional”, lidhet me zhdukjen dhe shitjen e paligjshme të qindra tonëve material nga operatori kroat HOPS, me një dëm të vlerësuar mbi 1 milion euro. Në këtë rast, “Dalekovod” ka qenë e angazhuar si kontraktues për një pjesë të punimeve, por kompania mohon çdo përfshirje në shitjen e materialit, duke theksuar se nuk ka pasur autorizim për këtë dhe se ka përmbushur të gjitha detyrimet kontraktuale.

As kompanitë e tjera nuk kanë histori tërësisht të pastër. “Kodar Elektromontazha” lidhet në mënyrë indirekte me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Pronari i saj, Ivan Panteliç, është partner biznesi me Nikolla Petroviç, ish-drejtor i “Elektromreža Srbija” dhe kumbar i Vuçiçit.
Ndërkohë, “Elnos BL”, me seli në Banja Luka dhe në pronësi të Branko dhe Dushan Torbica, sipas mediave boshnjake lidhet në mënyrë indirekte me Milorad Dodikun, përmes rrjeteve të bizneseve të afërta me familjen e tij dhe pjesëmarrjeve të përbashkëta në tenderë.
Megjithatë, këto lidhje dhe dyshime nuk kanë qenë në fokus të MEPSO-s. Të pyetur për arsyet e përzgjedhjes së këtyre kompanive, institucioni ka dërguar vetëm një përgjigje në formë njoftimi ku janë thurur lavde për arritjet e kompanive.
Autor: Petar Klinçarski



