Marrëveshje e re mes Lotarisë Shtetërore dhe Kanal 5 me vlerë 11 milionë denarë – Kristina Dimitrievska me status ekskluziv
Kontrata me vlerë 11.044.800 denarë parashikon që Kanal 5 të prodhojë dhe transmetojë tërheqjet e Lotos dhe Jokerit, ndërsa Kristina Dimitrievska të mbetet prezantuesja e vetme dhe e pazëvendësueshme.
1 min 316

Lotaria Shtetërore ka lidhur një kontratë të re me televizionin Kanal 5 në vlerë prej 11.044.800 denarësh me TVSH, për prodhimin dhe transmetimin e emisioneve televizive të tërheqjeve të lojërave të fatit Loto dhe Joker.
Kontrata është nënshkruar më 14 korrik 2026, pas zhvillimit të një procedure të hapur të prokurimit publik. Sipas njoftimit të publikuar në sistemin e prokurimeve publike, Kanal 5 ka qenë ofertuesi i vetëm në tender, me një ofertë prej 9.360.000 denarësh pa TVSH.
Prokurimi përfshin prodhimin dhe transmetimin e 104 emisioneve televizive për tërheqjen e numrave fitues të lojërave Loto dhe Joker, si edhe tërheqjet e lojërave shpërblyese, me kohëzgjatje deri në 15 minuta. Në kontratë përfshihet edhe blerja e 710 sekondave kohë reklamuese në javë, jashtë emisionit.
Një detaj interesant në kontratë është se në të përcaktohet qartë se kush ka të drejtën ekskluzive për ta drejtuar emisionin.
“Prezantuese e emisionit është ekskluzivisht dhe vetëm fytyra zyrtare e markës së Lotarisë Shtetërore, Kristina Dimitrievska. Roli i saj si prezantuese nuk mund të transferohet apo të zëvendësohet. Në rast të mungesës së saj të arsyeshme, Kristina Dimitrievska ka të drejtën dhe kompetencën e vetme të caktojë personin që do ta zëvendësojë në rolin e prezantueses për edicionin përkatës të emisionit të paraparë me këtë kontratë.”
Kontrata është lidhur për një periudhë 12-mujore, ndërsa kriter për përzgjedhjen ka qenë çmimi më i ulët. Edhe pse procedura është zhvilluar në mënyrë elektronike, ankand elektronik nuk është realizuar.
Tërheqjet televizive të Lotos transmetohen në Kanal 5 që nga dhjetori i vitit 2018, kur Lotaria Shtetërore e transferoi realizimin e emisioneve në këtë televizion, pas skadimit të kontratës së mëparshme me Sitel. Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja për Prokurime Publike, Kanal 5 ka qenë ofertuesi i vetëm edhe në procedurat e hapura gjatë viteve 2023, 2025 dhe 2026, pas të cilave janë lidhur kontrata për prodhimin dhe transmetimin e tërheqjeve të Lotos dhe Jokerit.
