
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po heton drejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Maqedonisë së Veriut Ilija Stoilev, dhe katër persona të tjerë, për përfshirje në një rast të rëndë korrupsioni që lidhet me dhënie dhe marrje ryshfeti për përfitim të paligjshëm fondesh nga programi IPARD.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në aksionin e zhvilluar dje (06.11.2025), policia ka arrestuar pesë persona, ndërsa ndaj drejtorit të agjencisë dhe të dyshuarve të tjerë është ngritur procedurë penale për veprat “dhënie ryshfeti”, “marrje ryshfeti” dhe “dhënie ose marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”.
Hetimi ka zbuluar se një biznesmen 77-vjeçar, i ka premtuar drejtorit të agjencisë një shumë prej 50 mijë eurosh për ta favorizuar kompaninë e tij në thirrjen publike nr. 01/24 për ndarjen e fondeve IPARD, edhe pse ajo nuk i plotësonte kriteret e konkursit. Drejtori, pasi kishte pranuar ofertën, kishte nënshkruar kontratën për përfitim financiar dhe më pas kishte marrë një pjesë të parave – 400 euro, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan gjatë bastisjes.
“I dyshuari kryesor, në bashkëpunim me persona të tjerë – mes të cilëve një nëpunës në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe një zyrtar në Ministrinë e Bujqësisë – ka përdorur ndikimin dhe pozitat e tyre për të ndikuar mbi drejtorin e Agjencisë që të kryejë një veprim të kundërligjshëm. Në këmbim, drejtori ka pranuar premtimin për dhuratë në para me vlerë të konsiderueshme dhe ka firmosur marrëveshjen për financim.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Gjatë bastisjeve në disa lokacione të ndryshme janë gjetur sasi të mëdha parash dhe dokumente që lidhen me transaksione të dyshimta.
Prokuroria njofton se hetimet do të zgjerohet për të verifikuar nëse në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë me funksione të larta shtetërore.
Ky rast përbën një prej skandaleve më serioze të korrupsionit të zbuluar në sektorin e bujqësisë dhe pritet të pasohet me hetime të thelluara për abuzime me fondet publike dhe programet e financuara nga Bashkimi Evropian.PortaliX



