Pas fitores në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 2 nëntor, Bilall Kasami mori sot zyrtarisht mandatin e dytë si kryetar i Komunës së Tetovës. Ceremonia e dorëzimit të mandatit u zhvillua në ambientet e komunës, ku Kasami u zotua se do të vazhdojë me ritmin e projekteve të nisura dhe do të sjellë nisma të reja për zhvillimin e qytetit.
“E mira e këtij mandati do të jetë se nuk do të mund të më akuzojnë se po realizoj projektet e lëna në gjysmë nga ish-kryetari,” tha Kasami, duke theksuar se fokusi i tij do të mbetet përmirësimi i jetës së përditshme të qytetarëve të Tetovës.
Kasami, i cili vjen nga radhët e koalicionit VLEN, arriti të sigurojë një fitore të bindshme në balotazhin e 2 nëntorit, duke konsoliduar pozitën e tij si një prej figurave kryesore të pushtetit vendor në komunat shqiptare të Maqedonisë së Veriut.
Mandati i dytë i Kasamit pritet të përqendrohet në vazhdimin e projekteve të infrastrukturës, menaxhimin më efikas të shërbimeve publike dhe rritjen e transparencës në punën komunale.



