LokalXLajme

KShZ-ja refuzon të gjitha 16 ankesat për votimin në Bërvenicë, Karposh dhe Shuto Orizarë

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ) ka hedhur poshtë të gjitha 16 ankesat e paraqitura në lidhje me raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunat Bërvenicë, Karposh dhe Shuto Orizarë. Vendimi u bë i ditur nga kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko, i cili theksoi se për secilën ankesë do të përgatiten vendime individuale dhe do t’u dorëzohen palëve përkatëse.

Sipas Kondarkos, pas dorëzimit të vendimeve, do të priten afatet ligjore për paraqitje të padive të mundshme në Gjykatën Administrative. “Kjo do të thotë se më së voni deri në fund të fundjavës, do të kemi vendimet e Gjykatës Administrative nëse ka padi. Nëse nuk ka padi, në momentin e parë kur të skadojnë afatet, domethënë kur vendimet të jenë përfundimtare, KShZ-ja do të mbajë seancë për të shpallur rezultatet përfundimtare për komunat Bërvenicë, Shuto Orizarë dhe Karposh,” tha ai.

Në komunën e Shuto Orizarës janë paraqitur gjithsej 13 ankesa – 10 nga koalicioni “Maqedonia Juaj” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe tre nga Unioni i Romëve. Ndërkaq, në Karposh janë paraqitur dy ankesa nga koalicioni “Përvoja për Sukses”, ndërsa në Bërvenicë një ankesë është dorëzuar nga kandidati i VLEN-it, Hakim Ramadani.

Të gjitha këto ankesa, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i hodhi poshtë si të pabazuara.

Related Articles

Back to top button