LokalXLajme

Italia përmes Gllumovës: Përkrahësi i VLEN-it “krasit” vegjetacionin nën largpërçuesit e MEPSO-s

Derisa kompanitë përballen me çmimet e tregut, dega italiane e “Green Maintenance”, e vendosur në fshatin Gllumovë të Shkupit, arriti ta “fundosë” konkurrencën në tenderin e MEPSO-s për pastrimin e korridoreve nën largpërçues, të lidhur në fund të tetorit 2025.

PortaliX hulumtoi se si kjo kompani e sapoformuar, vetëm disa muaj para shpalljes, arriti ta fitojë tenderin. Nga MEPSO arsyetojnë se kjo kompani është zgjedhur sepse kishte ofertën më të lirë dhe çmimin më të ulët.

“Oferta e operatorit ekonomik të zgjedhur është 184.535 denarë pa TVSH, ndërsa oferta e radhitur e dyta është 651.165 denarë pa TVSH. Kjo do të thotë se oferta e zgjedhur është më e ulët për 466.630 denarë, përkatësisht rreth 71,7% më e ulët se oferta e radhitur e dyta”, thonë nga MEPSO.

Por, sipas Ligjit për Prokurime Publike, kjo hap edhe një aspekt tjetër potencialisht problematik. Neni 110 parasheh se MEPSO nuk ka guxuar thjesht ta pranojë këtë ofertë vetëm pse ka qenë më e lira.

Ligji e obligon institucionin të kërkojë sqarim me shkrim kur oferta është dukshëm më e ulët se çmimet e tregut dhe se ofertat e tjera — në këtë rast, madje 71,7% më e ulët se oferta e dytë. MEPSO, në përgjigjet për PortaliX, nuk sqaroi nëse ka kërkuar prova, siç e kërkon ligji, se si firma e ka formuar çmimin dhe si do t’i mbulojë matematikisht shpenzimet për punëtorë, mekanizim dhe siguri me një ofertë kaq të ulët.

Marrëveshja kornizë — sa do të punohet, aq do të paguhet — ka vlerë maksimale të paraparë prej 236.000 eurosh për një periudhë trevjeçare.

PortaliX u përpoq që në terren ta lokalizojë edhe adresën, përkatësisht selinë e degës italiane në fshatin Gllumovë, por pa sukses. Për gati një orë lëvizëm nëpër rrugicat e fshatit Gllumovë, biseduam edhe me banorë lokalë, por as ata nuk kishin njohuri se një firmë e tillë është e regjistruar në fshat.

Megjithatë, ky tender hap edhe çështjen e lidhjes së njërit prej pronarëve të firmës me koalicionin VLEN. Në kontratën e lidhur më 29 tetor 2025, nënshkrim kanë vendosur drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, dhe menaxheri Suad Jakupi.

Sipas strukturës aktuale të pronësisë, si pronarë të degës paraqiten Nezhdet Isljam dhe Shaban Shefki.

Njëri nga pronarët e degës, Shaban Shefki, përputhet me emër dhe mbiemër me një përkrahës të VLEN-it në pushtet. Në Facebook mund të vërehen fotografi gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar — gjatë fushatës dhe festës te Skënderbeu.

Nga MEPSO thonë se kompanitë nuk i vlerësojnë mbi bazë të bindjeve politike, personale, publike apo private dhe theksojnë se pretendimet për afërsi politike si faktor në përzgjedhje janë të pabaza dhe insinuatë.

“Përcaktimi politik, simpatia publike, fotografia apo prania në çfarëdo ngjarjeje publike nuk është kriter në prokurim publik, as nuk mund të jetë bazë për zgjedhje apo diskualifikim të operatorit ekonomik. Në procedurën konkrete, faktori vendimtar ka qenë kriteri i paraparë në dokumentacionin e tenderit — çmimi më i ulët i ofruar, me plotësimin e kushteve për pjesëmarrje”, thonë nga MEPSO.

Kur bëhet fjalë për largpërçuesit, MEPSO gjatë periudhës së fundit është në fokus të opinionit edhe për shkak të shkëputjes së kontratës me “Energoinvest”-in boshnjak për ndërtimin e largpërçuesit drejt Shqipërisë dhe humbjes fillestare të kontestit paraarbitrazh për shumën prej 6 milionë eurosh. Po ashtu, edhe për lidhjen e kontratës së re me një konzorcium prej tri firmash, një pjesë e të cilave lidhen me Millorad Dodikun dhe Aleksandar Vuçiqin.

Related Articles

Back to top button