
“Desha të jem i përgatitur për këtë ngjarje shumë të rëndësishme, 20-vjetorin e EVN-së. U takuam me drejtorin para rreth dy muajsh, ndërkohë më erdhën fatura të larta të rrymës, kështu që po mendoja nëse duhej të vija në këtë ngjarje.”
Me këtë deklaratë me tone humori, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, iu drejtua promovimit të “Librit të Bardhë” të EVN Maqedoni.
Ndryshe nga Gashi, i cili bëri llogaritë e faturave të energjisë elektrike para se të paraqitej në jubile, në Librin e Bardhë EVN-ja llogarit vetëm bilancin e suksesit, ku nëpër faqe renditen arritjet dydekadëshe.
Në hijen e këtyre “sukseseve” qëndron një nga njollat më të errëta në historinë më të re të kompanisë – rasti “Arat e Dellçevës”. Ky skandal korrupsioni tregoi se si toka të fituara falas ose të blera për shuma simbolike, iu rishitën “EVN Elektrani” nga persona të lidhur me VMRO-DPMNE-në me çmime deri në dyzet herë më të larta se tregu.
Por, rasti nuk arriti deri në aktakuzë, pasi anëtarë të Bordit Drejtues, përfshirë edhe të deleguarin e atëhershëm qeveritar në EVN, Sasho Stojkoski, e ndryshuan deklaratën e tyre fillestare. Ata deklaruan se pas shqyrtimit shtesë të dëshmive, “EVN Elektrani” nuk ishte mashtruar nga të dyshuarit dhe se do ta blinin sërish të njëjtën pronë. Me këtë, hetimi u mbyll.
Përfaqësuesit e atëhershëm të dyshuar të “EVN Elektrani”, Igor Gievski dhe Miroslav Mitrovski, edhe sot mbajnë pozita drejtuese brenda grupacionit EVN.
Ne deshëm ta pyesnim kryetarin aktual të Bordit Drejtues të EVN Maqedoni, Wolfgang Maier, se si afera me “Arat e Dellçevës” ndikoi në imazhin e kompanisë, duke pasur parasysh se kuadrot e përfshira ende janë pjesë e menaxhmentit. Por, Maier nuk ishte i disponuar për tema të pakëndshme – sapo e dëgjoi pyetjen, u largua nga kamera.
“Kompania feston 20 vjet në Maqedoni. Në një kohë kur kompania po e feston këtë sukses, disa vite më parë pati një skandal të madh me kompaninë nën emrin ‘Arat e Dellçevës’. A mund të shpjegoni se si kompania pagoi 1.6 milionë euro…?”, ishte pyetja e PortaliX.
Kryeministri Hristijan Mickoski në disa raste i ka bërë thirrje Prokurorisë që të rishqyrtojë raste nga e kaluara, për të cilat pretendon se kanë qenë të motivuara politikisht dhe kanë përfunduar pa epilog. Për këtë arsye, pyetëm në Prokurori nëse në një rishikim eventual të rasteve të vjetra mund të përfshihet edhe rasti me “Arat e Dellçevës”. Prej aty morëm një përgjigje të thatë:
“Prokuroria Publike Republikane vepron dhe ushtron kontroll dhe mbikëqyrje në përputhje me Ligjin për Prokurorinë Publike dhe aktet përkatëse nënligjore dhe rregulloret e brendshme.”



