XStory

Datë e korrigjuar me dorë mbi vulë — Axhipetrov: Ishte gabim teknik

Shërbimi Pedagogjik pranë Ministrisë së Arsimit i hedh poshtë të gjitha dyshimet për parregullsi në procedurën e përzgjedhjes së tekstit shkollor të gjuhës shqipe për klasën e tetë nga shtëpia botuese “Arberia Design”, duke pretenduar se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me procedurat dhe afatet ligjore.

Reagimi vjen pas hulumtimit të Portal X, në të cilin u publikuan dyshime për një proces të komprometuar gjatë përzgjedhjes së tekstit shkollor, të shoqëruar me dorëheqje të anëtarëve të Komisionit të Recensentëve, vlerësime kontradiktore, datë të korrigjuar manualisht në dokument dhe dyshime për konflikt interesi.

Në përgjigjen me shkrim për Portal X, drejtori i Shërbimit Pedagogjik, Robert Axhipetrov, thotë se procedura ende nuk ka përfunduar, pasi pala e pakënaqur ka paraqitur ankesë, ndërsa për ligjshmërinë do të vendosë organi i shkallës së dytë.

Një nga momentet më të diskutueshme në procedurë ishte ndryshimi manual i datës në dokumentin me mendimin përfundimtar të Komisionit të Recensentëve. Në dokument, mbi vulën arkivore me datë 30 mars, me stilolaps është shënuar data 26 mars.
Drejtori i Shërbimit Pedagogjik, Axhipetrov, lidhur me këtë thotë se bëhet fjalë për gabim teknik.

“Mendimi përfundimtar i Komisionit të Recensentëve është pranuar dhe evidentuar rregullisht në zyrën e protokollit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përkatësisht nuk ekziston asnjë falsifikim lidhur me këtë çështje. Vetë evidentimin e lëndëve e kryejnë persona të autorizuar për mbajtjen e evidencës dhe përdorimin e vulave dhe stampave, kështu që data e shënuar në dokument qëndron detyrimisht edhe në Librin e Protokollit. Evidenca është elektronike, prandaj nuk është e mundur të bëhen ndryshime në data. Në rastin konkret, mendimi origjinal i Komisionit të Recensentëve është dorëzuar më 26.03.2026, por në të është vërejtur një gabim teknik (saktësimi i kodeve të dorëshkrimeve, të cilat duhet të jenë të shënuara saktë, ku 06 dhe 6, ndonëse i referohen të njëjtit numër, konsiderohen gabim teknik kur bëhet fjalë për kod). Ky gabim është korrigjuar dhe mendimi i ri, i nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit, është dorëzuar sërish në ministri. Korrigjimet eventuale me stilolaps janë bërë për shkak të gabimit teknik, por në çdo rast në evidencën elektronike është regjistruar saktë data kur është pranuar Raporti Përmbledhës, dhe ajo është data 26.03.2026. Për të gjitha këto ekzistojnë prova të rregullta në ministri”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, mbetet e paqartë pse vetëm në atë dokument është bërë“gabimi teknik” në datë.

Dy nga tre anëtarët e Komisionit të Recensentëve — Emine Shabani dhe Arlind Farizi — janë tërhequr nga procesi dhe kanë kërkuar ndërprerjen e procedurës. Në qëndrimin e tyre të përbashkët ata theksuan se dorëheqja nënkupton edhe tërheqjen e mendimit profesional, me qëllim që të përjashtohen nga çdo përgjegjësi në proces.

“Ne, si anëtarë të komisionit recensues, kemi paraqitur dorëheqjen tonë në mënyrë të qartë dhe të dokumentuar, gjë që nënkupton edhe tërheqjen nga mendimi profesional”, deklaruan recensentët.

Por, Shërbimi Pedagogjik pretendon se në deklaratat e dorëzuara askund nuk thuhej se tërhiqej edhe mendimi recensues.

“Mendimi i Komisionit të Recensentëve, i nënshkruar më 26 mars, tashmë është evidentuar në Ministri. Me këtë, anëtarët e komisionit e kanë përfunduar punën për të cilën janë angazhuar dhe për të cilën do të marrin kompensim”, thuhet në reagim.

Sipas Procedurës për mënyrën e zhvillimit të procedurës për miratimin e teksteve shkollore përmes konkursit publik, Komisioni i Recensentëve mund të vazhdojë punën vetëm nëse tërhiqet një anëtar, i cili më pas zëvendësohet me një recensent tjetër.

Lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit të recensentes së vetme, Lirije Dauti, me Dashmir Ademin, themelues i shtëpisë botuese “Arberia Design”, drejtori deklaroi se Shërbimi Pedagogjik nuk është kompetent për të përcaktuar nëse ndonjëri nga anëtarët ndodhet në konflikt interesi. Sipas tij, nëse ndonjë anëtar ka konflikt interesi me njërën nga palët, ai vetë duhet ta deklarojë këtë dhe të tërhiqet nga procedura.

Për më tepër, lidhur me të gjitha dyshimet që po ngrihen rreth procesit, drejtori Axhipetrov e udhëzoi Portal X që rastin ta paraqesë në institucionet kompetente.

Autore: Kristina Ivanovska

Related Articles

Back to top button