
Më 9 janar 2026, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH), Koce Trajanovski, u takua me ambasadoren e re të Kinës në Maqedoninë e Veriut, Jiang Xiaoyan.
Sipas njoftimit zyrtar të ndërmarrjes, takimi u vlerësua si konfirmim i “kënaqësisë së përbashkët nga bashkëpunimi i deritanishëm” dhe pritje për “thellimin e marrëdhënieve miqësore” në ekonomi, infrastrukturë dhe investime me Kinën.
Theksi kryesor i takimit, siç njoftoi NPRRSH, ishte autostrada Kërçovë–Ohër, një nga projektet më të rëndësishme, e financuar përmes një kredie nga Banka Eksport-Import e Kinës (EXIM Bank).
Trajanovski vlerësoi “bashkëpunimin e suksesshëm” me kompaninë kineze Sinohydro edhe në autostradën Miladinovc–Shtip, segmentin Gradskë–Drenovë (pjesë e rrugës ekspres Farish–Drenovë) dhe rrugën ekspres Shtip–Koçan (Krupishtë–Koçan), duke i theksuar këto si “rezultate konkrete” dhe “bazë të fortë” për partneritete të ardhshme.

Kjo retorikë pozitive e ndërmarrjes publike bie drejtpërdrejt ndesh me realitetin e zbuluar në kërkesat e NPRRSH-së, e drejtuar nga Trajanovski, të dorëzuara në Ministrinë e Financave në tetor dhe më herët në shkurt 2025.
Sipas procesverbalit të seancës së 138-të të Qeverisë të mbajtur më 23 dhjetor 2025, ndërmarrja kërkon “ndryshim të kushteve për rregullimin e borxhit përmes kushteve të reja kreditore”.
“Informacion për Kërkesën nr. 11-5873/1 të datës 28.10.2025 për ndryshim të kushteve të rregullimit të borxhit me vendosjen e kushteve të reja kreditore të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore ndaj Ministrisë së Financave, për shkak të pamundësisë për shlyerjen e detyrimeve të maturuara sipas Marrëveshjes së kredisë të lidhur me Bankën Eksport-Import e Kinës”, thuhet në procesverbalin e Qeverisë.
Dhe kjo nuk është kërkesa e vetme. Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH) edhe disa muaj më herët kishte kërkuar ndihmë nga Qeveria.
Në një vendim të datës 7 shkurt 2025, NPRRSH i kishte dërguar Ministrisë së Financave kërkesë për riprogramim të borxheve.

Atëherë Qeveria, në seancën e 95-të, e shqyrtoi informacionin e dorëzuar dhe mori vendim për ndihmë për NPRRSH-në. Ndërmarrja kishte kërkuar riprogramim të borxhit ndaj Ministrisë së Financave për shkak të problemeve me shlyerjen e kredisë nga Banka Eksport-Import e Kinës për ndërtimin e autostradave Kërçovë–Ohër dhe Miladinovc–Shtip.
“Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Financave të lidhë marrëveshje për rregullimin e borxhit të maturuar të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore ndaj Ministrisë së Financave pas aktivizimit të garancisë shtetërore, përkatësisht pas pagesës së këstit më 21.1.2025 sipas dy marrëveshjeve për sigurimin e garancisë shtetërore nr. 14-10754/2 të datës 24.6.2014 dhe nr. 14-10753/2 të datës 24.6.2014, për përmbushjen e detyrimeve sipas Marrëveshjes së kredisë për Projektin për ndërtimin e autostradës – segmenti Kërçovë–Ohër dhe Marrëveshjes së kredisë për Projektin për ndërtimin e autostradës – segmenti Miladinovc–Shtip, të lidhura ndërmjet Bankës Eksport-Import e Kinës dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore – Shkup, me afat kthimi prej 10 vitesh (120 këste mujore), pa llogaritje të interesit të rregullt, me periudhë grace prej pesë vitesh, me ç’rast shlyerja ndaj Ministrisë së Financave të fillojë më 1.2.2030, në shumën dhe kushtet siç janë përcaktuar në këtë informacion”, thuhet në vendim.
Nga NPRRSH nuk iu përgjigjën pyetjeve të PortalX nëse në takimin mes drejtorit Trajanovski dhe ambasadores Xiaoyan është diskutuar edhe për problemet me pamundësinë e shlyerjes dhe kërkesat për riprogramim të dorëzuara në Ministrinë e Financave.
Nga Ministria e Financave, ndërkaq, thanë se kushtet e shlyerjes së kredisë nga ana e NPRRSH-së ndaj EXIM Bankës janë sipas marrëveshjeve të nënshkruara për autostradat Kërçovë–Ohër dhe Miladinovc–Shtip dhe se nuk është bërë asnjë ndryshim, ndërsa detyrimet po shërbehen rregullisht.
“Ndryshimet për të cilat pyesni kanë të bëjnë me ndryshime të kushteve për rregullimin e borxhit të NPRRSH-së ndaj Ministrisë së Financave, i cili rrjedh nga detyrimet e shlyera sipas kushteve të marrëveshjeve për sigurimin e garancisë shtetërore për kreditë e NPRRSH-së ndaj EXIM Bankës. Deri më tani, për sigurimin e detyrimeve janë lëshuar garanci shtetërore në vlerë prej 230,44 milionë euro. Nuk ka detyrime të pashlyera ndaj EXIM Bankës që rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet NPRRSH-së dhe EXIM Bankës”, u përgjigjën nga Financat.
Kjo do të thotë se Rrugët Shtetërore janë debitore ndaj Ministrisë së Financave me periudhë grace të pagesës deri në vitin 2030. NPRRSH formalisht mbetet debitore, ndërsa Ministria, përmes garancive shtetërore të aktivizuara, i merr përsipër këstet në vend të ndërmarrjes.
Krstinovska: Marrëveshjet e kontestuara me Kinën janë barrë financiare për buxhetin e RMV-së
Ndërtimi i infrastrukturës pa dyshim ka potencial të kontribuojë në rritje dhe zhvillim ekonomik.
Por, sipas Ana Krstinovskës nga organizata joqeveritare Estima, e cila prej vitesh analizon marrëdhëniet maqedono-kineze në fushën e financave, arsimit dhe fuqisë së butë politike, bankat kineze në shikim të parë duken se kanë kritere më të ulëta dhe veprojnë më shpejt, në krahasim me ato evropiane që kërkojnë harmonizim me rregullat e kreditorëve, për çka edhe qeveria jonë, ashtu si të tjera në rajon, vendos për kredi kineze.
“Por, siç tregon shembulli i autostradës Kërçovë–Ohër, çmimin e shtrenjtë e paguajmë vite pasi e kemi lidhur marrëveshjen. Bashkëpunimi për autostradën Kërçovë–Ohër që nga fillimi e deri sot është vazhdimisht i kontestuar dhe plot probleme: nga dokumentacioni i dobët projektues dhe hulumtimet gjeologjike të pamjaftueshme, përzgjedhja jo transparente e kontraktorit, pretendimet për korrupsion, realizimi i ngadaltë dhe korrigjimet e shumta, e deri te aranzhmani financiar po ashtu jo transparent, me një marrëveshje kredie nga EXIM Banka që nuk është bërë publike. Në vend të 5–6 viteve të planifikuara, ndërtimi zgjat tashmë 12 vjet dhe ne vazhdimisht paguajmë këste të rregullta dhe herë pas here penalitete për një autostradë që as nuk e përdorim, as nuk gjeneron ndonjë përfitim ekonomik apo financiar. Natyrisht, buxheti ynë i vogël dhe i mbingarkuar me borxhe nuk mund ta përballojë këtë barrë financiare”, thotë Krstinovska.
Siç shpjegon ajo, elementet problematike që çojnë në vështirësi në pagesë nuk burojnë nga vetë marrëveshja, por nga mënyra e planifikimit të projektit dhe negocimit të çmimeve.
“Çmimet njësi që shteti paguan për autostradën janë më të larta se çmimet që Sinohydro ofroi në tenderin për ndërtimin e rrugës Shtip–Krupishtë, pra janë joreale dhe jo tregtare, dhe çojnë në mbingarkesë borxhi. Në marrëveshje ka klauzola që e sanksionojnë këtë mbingarkesë, përkatësisht pamundësinë për shlyerjen e kësteve, duke na bërë të varur nga Kina dhe miratimi i saj për vonesa ose riprogramim. Me fjalë të tjera, nëse nuk mund të paguajmë në kohë, ne duhet t’i përshtatim politikat tona me Kinën dhe qëndrimet e saj, përfshirë edhe në fusha që nuk lidhen drejtpërdrejt me kredinë. Përndryshe, Kina ka të drejtë ta ndërpresë njëanshëm marrëveshjen e kredisë dhe të kërkojë shlyerje të plotë, gjë që për ne do të nënkuptonte kolaps financiar”, thotë ajo.
Prania kineze në infrastrukturën e Maqedonisë së Veriut është e konsiderueshme, veçanërisht nga viti 2014 e këtej, përmes iniciativës “Një brez, një rrugë”.
Kina qëndron pas autostradës Miladinovc–Shtip, autostradës Kërçovë–Ohër dhe rrugës ekspres Shtip–Koçan (Krupishtë–Koçan), për të cilat në disa raste janë nënshkruar anekse të reja. Këto projekte në total tejkalojnë një miliard dollarë kredi.



