LokalXLajme

As “Megavin” nuk u mbyll, as kazinotë nuk u larguan nga shkollat

Paralelisht me magjinë e Vitit të Ri në Shkup, Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut, përmes platformës “Megavin”, nisi karvanin “Jingle bets”, duke u ofruar qytetarëve argëtim dhe fitime të mundshme përmes lojërave të fatit online.

“Megavin”, platforma e vetme për lojëra fati online që mori status monopol pasi Qeveria shfuqizoi koncesionet e firmave të tjera ku shoqëria aksionare kishte pronësi dominuese prej 51% në bashkëpronësi, duhej të kishte të njëjtin fat. Por, prej më shumë se një viti funksionon pa pengesa dhe gjatë muajit të kaluar mori edhe një promovim dhe fushatë të fuqishme – në televizion, internet dhe hapësirën publike – në stacione, autobusë dhe billborde.

Premtimi politik daton që më 26 shtator 2024, pasi një ditë më parë Qeveria e obligoi Lotarinë Shtetërore të nisë procedurat për shfuqizimin e firmave “Mozzart DOO”, “Bits 77 Shkup” dhe “Vezuv DOO Shkup”, si dhe platformës “2win.mk”, ku pronësia ndahej mes Lotarisë Shtetërore dhe “Novo VLT”. Sipas të dhënave, të gjitha këto platforma përdoreshin nga rreth 80.000 lojtarë.

Një ditë pas obligimeve të Qeverisë, atëherë zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, deklaroi se mbyllja e “Megavin” është procedurë më vete.

“‘Megavin’ është 100% shtetërore, organizon lojëra online dhe ka procedurë tjetër. Në mbledhjen e radhës të martën do të mbyllet edhe ajo dhe 100% lojërat e fatit online do të jenë jashtë funksioni në RMV. Njëkohësisht, në Qeveri ka vendim për shpalljen e një lufte të ashpër, sepse ka kazino online të organizuara nga kompani, por ka edhe kazino online ilegale, ‘të egra’, që e organizojnë biznesin e kazinove për vende të tjera të rajonit, për Turqinë, Greqinë dhe Shqipërinë”, deklaroi Mexhiti.

Më pas, opozita BDI i ngjiti etiketën “Izet Megavin Mexhiti” si fyerje politike dhe akuzë për lidhje me “Megavin”, duke pretenduar se ai e mbron platformën nga mbyllja, ndonëse kishte premtuar luftë kundër kazinove online.

Kur mediat në shkurt 2025 rikujtuan premtimet për mbylljen e “Megavin”, nga Qeveria u tha se nevojitet analizë e detajuar, pa u përmendur fare çështja e mbylljes. Qeveria u arsyetua se bëhet fjalë për proces më kompleks që kërkon analizë të thelluar dhe se po punohet në një Ligj të ri për lojërat e fatit, i cili synon të tejkalojë të gjitha mangësitë e konstatuara më herët. Një ligj i tillë më vonë, në korrik, u dorëzua në Kuvend pasi u miratua nga Qeveria.

Që atëherë e deri më sot ka kaluar gati një vit, por pa epilog.

PortalX iu drejtua Lotarisë Shtetërore dhe kërkoi përgjigje, por nuk mori sqarime pse “Megavin” ende funksionon dhe nëse planifikohet ruajtja e pozitës së tij monopoliste në lojërat e fatit online. Nuk morëm përgjigje as lidhur me akuzat se përmes “Megavin” po mbrohen interesa biznesore partiake, as për të ardhurat financiare të realizuara gjatë vitit 2025.

Në pyetjet pse “Megavin” nuk është mbyllur dhe kur pritet të ndodhë kjo, PortalX mori përgjigje nga Qeveria, por jo konkrete.

“Sa i përket këtyre pyetjeve, Qeveria vepron në përputhje me të gjitha kompetencat ligjore, ndërsa paralelisht është në proces miratimi një Ligj i ri për lojërat e fatit, i cili do ta rregullojë këtë çështje”, u përgjigjën nga Qeveria.

Ligj i ri për lojërat e fatit – i cili me radhë?

PortalX mëson se Projektligji për lojërat e fatit, i cili në korrik të këtij viti kaloi procedurën qeveritare dhe u dorëzua në Kuvend nga Ministria e Financave si propozues, është tërhequr për rishikim. Këtë e konfirmuan edhe deputetë aktualë në Kuvend.

Sipas këtij propozimi, i cili ishte paralajmëruar si një lloj lufte kundër pranisë së madhe të lokacioneve fizike për lojërat e fatit, për kazinotë dhe klubet e automatëve me aparate videolotarie ishte parashikuar që të largohen të paktën 500 metra rrugë nga shkollat fillore dhe të mesme.

Ndryshe nga kazinotë dhe klubet e automatëve, ndryshimet do t’i përjashtonin bastoret, të cilat sipas zgjidhjes tashmë të tërhequr nuk kishin detyrim të zhvendoseshin nga lokacionet ekzistuese. Për to ishte parashikuar një rregullim tjetër – të mos kenë aparate videolotarie, përveç atyre që ndodhen në distancë gjysmë kilometri nga shkollat. Në këto raste do të lejohej përdorimi i maksimum pesë aparateve VLT. Por, ky ligj është tërhequr nga procedura parlamentare.

Aktualisht, në Kuvend ndodhen propozim-ndryshimet e ligjit ekzistues për lojërat e fatit me procedurë të shkurtuar, të dorëzuara nga deputetë të LSDM-së, që kanë të bëjnë me financimin e trashëgimisë kulturore.

“Propozohet që neni 16 i Ligjit të ndryshohet në mënyrë që mjetet e realizuara nga të gjitha bazat e organizimit të lojërave të fatit dhe lojërave argëtuese të përdoren edhe për institucionet publike për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore përmes Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit (në shumë prej 50% të të ardhurave totale nga lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese të realizuara në vitin paraprak kalendarik, por jo më pak se 60 milionë denarë dhe jo më shumë se 120 milionë denarë), si dhe për bursimin e kuadrove deficitare në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (në shumë jo më pak se 30 milionë denarë dhe jo më shumë se 50 milionë denarë)”, thuhet në ndryshimet e dorëzuara nga LSDM, të publikuara në faqen e Kuvendit.

Ndërkohë që “Megavin” online funksionon pa pengesa dhe nuk ka ligj të ri për lojërat e fatit, shteti për momentin po zhvillon luftë vetëm në drejtim të eliminimit të platformave ilegale online. Informacionet e fundit të bëra publike nga ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, tregojnë se janë ndaluar edhe 33 faqe të tjera ilegale për bixhoz, duke e çuar numrin e tyre në 307. Megjithatë, numri real i platformave të tilla ilegale ku qytetarët e Maqedonisë së Veriut provojnë fatin është shumë më i madh.PortaliX

Related Articles

Back to top button