
Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka njoftuar PortalinX se në rastin e dhunës fizike mes të miturve që ditë më parë e publikuam, tre nga fëmijët e përfshirë janë nën moshën 14 vjeç, prandaj sipas ligjit nuk mund të mbajnë përgjegjësi penale.
“Tre nga fëmijët e përfshirë në dhunën fizike janë nën moshën 14 vjeç dhe sipas ligjit nuk mund të mbajnë përgjegjësi penale. Për ta do të merret vendim për hedhjen poshtë të kallëzimit penal, ndërsa shërbimet sociale janë njoftuar të ndërmarrin masa për ndihmë dhe mbrojtje.”, thanë nga Prokuroria për PortalinX.
Prokuroria gjithashtu ka njoftuar shërbimet sociale kompetente që të ndërmarrin masa për ndihmë dhe mbrojtje në bazë të ligjit. Të tre fëmijët, së bashku me përfaqësuesit e tyre ligjorë, janë thirrur në prokurori për të dhënë deklaratë, ku u është shpjeguar për pasojat e veprimeve të tyre ndaj fëmijës së dëmtuar.
Ndërkohë, për një nga fëmijët, i cili në kohën e ngjarjes kishte mbushur 14 vjeç, është hapur lëndë dhe ndaj tij do të zhvillohet procedurë sipas Ligjit për Drejtësi për Fëmijët. Prokuroria do t’i dorëzojë gjyqtarit për të mitur një kërkesë për fillimin e procedurës përgatitore, me propozim që ndaj tij të shqiptohen masa edukative.



