
Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim kundërvajtës ndaj “majmunit”, tifozit 33-vjeçar nga Prilepi, i cili më 1 nëntor pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet KF Pobeda dhe Shkëndijës së Haraçinës sulmoi dhunshëm hapësirat e zhveshtores ku ndodheshin futbollistët mysafirë, që i regjistroi edhe kamera e PortalitX.
Sipas njoftimit të MPB-së, tifozi “ka dëmtuar dhe shkatërruar inventar dhe pjesë të tjera të objektit sportiv”, duke shkelur dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Dhunës në Manifestime Sportive.
Edhe pse Ministria nuk ka saktësuar shumën e gjobës, ligji parashikon ndëshkim financiar nga 500 deri në 1.000 euro për persona fizikë që kryejnë akte të ngjashme.
Lidhur me këtë rast paraprakisht me katër ditë vonesë, Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë kishte gjobitur klubin Pobeda me vetëm 3.000 euro gjobë dhe kishte ndaluar praninë e publikut në katër ndeshjet e ardhshme, duke konstatuar se sjellja e tifozit kishte rrezikuar sigurinë e futbollistëve të Shkëndijës.
Megjithatë, për autoritetet shtetërore ky incident nuk ka pasur elemente të përgjegjësisë penale, pavarësisht dhunës së manifestuar ndaj lojtarëve shqiptarë.
Në anën tjetër, ende nuk është ngritur asnjë kallëzim për thirrjet raciste të bëra më 2 gusht në sallën sportive të Kumanovës, gjatë ndeshjes së kualifikimeve të basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë – incident që ndodhi në prani të kryeministrit dhe përfaqësuesve të lartë të shtetit.
Njësoj, as për ndeshjen e 25 gushtit në Kavadar mes Pelisterit dhe FC Shkupit, ku tifozët vendas lëshuan thirrje fyese kundër shqiptarëve, nuk ka kallëzim penal. Nga MPB thonë vetëm se “janë ndërmarrë masa për identifikimin e personave”, ndërsa klubi Pelister është gjobitur administrativisht.
Kjo praktikë, sipas vëzhguesve të sportit dhe mediave, ngre pikëpyetje serioze për standardet e dyfishta të institucioneve ndaj dhunës dhe diskriminimit në arenat sportive të vendit.



