Kuvendi i Kosovës sot mblidhet për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb

Kuvendi i Kosovës sot do të vazhdojë seancën konstituive, me pikë kryesore në rend dite zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Seanca vjen pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila konstatoi se seanca konstituive e filluar më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së përfaqësuesit nga komuniteti serb në kryesinë e Kuvendit.
Në vendimin e publikuar, Gjykata thekson se Kuvendi nuk është konstituuar në përputhje me nenin 66 dhe 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilat përcaktojnë procedurën dhe mandatin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Gjykata ka urdhëruar që seanca konstituive të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, në pajtim me afatet kushtetuese dhe me aktgjykimet e mëhershme në rastet KO193/25 dhe KO196/25.
Po ashtu, Kushtetuesja u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që gjatë procesit të zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb të ushtrojnë funksionin e tyre “në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.



