
Pjesëtarë të SPB Kumanovë e kanë privuar nga liria bashkëshorten e mjekut në të cilin dje u qëllua në Kumanovë.
Siç njoftoi MPB, më datë 07.10.2025, nëpunës policorë nga SPB Kumanovë e kanë privuar nga liria A.A. (43) nga Tetova, për shkak të bazave të dyshimit se është e lidhur me tentim-vrasjen e bashkëshortit të saj Z.Sh. (43) nga fshati Sllupçan, i Likovës.
– Po ashtu, në lidhje me ngjarjen, për bisedë zyrtare në SPB Kumanovë janë thirrur gjashtë persona, dhe në shtëpinë e B.S. (50) nga Kumanova, me urdhër gjyqësor, është kryer bastisje. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj A.A. do të pasojë kallëzim përkatës, ndërsa ndaj L.F. (36) nga Gostivari, i cili dyshohet për tentim-vrasje dhe ende është në arrati, pas konsultimit me Prokurorinë Themelore Publike, gjithashtu do të parashtrohet kallëzim penal, thuhet në njoftimin e MPB-së.
I plagosuri është Z.Sh., mjek me profesion, i punësuar në Klinikën për Pulmologji. Ai është kryetar aktual i Këshillit të Komunës së Likovës dhe është bartës i listës së këshilltarëve të AKI-së të udhëhequr nga BDI për zgjedhjet e ardhshme lokale. Dje, Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se indikacionet e para nuk tregojnë për motive politike pas incidentit me armë, por prokuroria po i kontrollon të gjitha rrethanat.



