
Kandidati për kryetar të Çairit Izet Mexhiti ka shpërndarë një video mesazh në të cilin lartëson kontributin e studentëve në gjallërimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Sipas tij, me sjelljen hapjen e UT-së dhe Nënë Terezës, kjo pjesë e Çairit nuk pushon as ditë as natë nga qarkullimi i njerëzve.
“Çairin nga një lagje që janë munduar ta shndërrojnë në një geto, ne e kemi rikthyer në qytet studenti, për shkak se Çairi kufizohet me katër universitete. Universitetin “Kirili dhe Metodi”, UEJN-së, Universitetin Ballkanik, Universiterin “Nënë Tereza” ku Qeveria e tanishme ka ndarë 40 milion euro për ndërtimin e kampusit universitar me të gjitha nishanet, nevojat, me amfiteatro, me pjesë përcjellëse, me pishina, salla. Krejt kjo në funksion të rinisë shqiptare, fillimisht Çair-Shkup dhe gjithandej. Se sa është i rëndësishëm investimi në arsim apo prezenca e studentëve në komunën tonë, mund ta them me plot përgjegjësi që faktori kryesor për ringjalljen e Çarshisë së Vjetër të shkupit kanë qenë para 10, 12 viteve, kanë qenë studimet e disperzuara të Universitetit të Tetovës. I vendosëm studentët në objektin e De-Kokas dhe ata filluan në mënyrë avangarde ta ndryshojnë ambientin, atmosferën në Çarshinë e Vjetër. Dhe sot Çarshia e Vjetër është rikthyer në një Çarshi atraktive e cila frekuentohet prej mëngjesit deri në orët e vona”, thotë Mexhiti.



