Besarti kampioni i katërfishtë i shtetit dhe njëherë kampion i Ballkanit në kategorinë junior nga klubi i karatesë Bashkimi 2002 Kumanovë, vazhdon të shkëlqejë në fushën e karatesë, duke sjellë gjithnjë rezultate të jashtëzakonshme. Edhe pse Besarti vazhdon stërvitjet për Kampionatin Evropian që do të zhvillohet në fillim të shkurtit në Poloni, ai përballet me sfida të mëdha financiare.
“Kemi filluar stërvitjet për kampionatin evropian dhe shpresoj të arrijmë rezultate të mira. Por, është e paqartë nëse do të mund të marr pjesë për shkak të financave. Komuna e Kumanovës nuk po ndan mjete për sportistët siç është Besarti, i cili ka një rekord të jashtëzakonshëm. Buxheti që është ndarë për sportet është 228 mijë euro, por vetëm 1 mijë euro janë alokuar për klubin tonë,” shprehet trajneri i tij.
Besarti, i cili ka tetë vjet që praktikon këtë sport, shprehet se, nëse nuk mbulohet shpenzimi për garat, ai do të jetë i detyruar ta financojë udhëtimin dhe pjesëmarrjen nga xhepi i tij.
“Shpresoj se Komuna do të na ndihmojë edhe gjatë këtij rrugëtimi, por nëse jo, duhet të bëjmë një zgjidhje që të mos e humbim mundësinë për të garuar në kampionatin evropian,” thotë ai.
Në të njëjtën linjë, trajneri thekson se shumica e sportistëve janë të detyruar të paguajnë për garat me mjete personale.
“Shumica e prindërve paguajnë nga xhepi i tyre për garat vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë ato Ballkanike, Mesdhetare, Evropiane dhe Botërore. Ne, si klub, jemi të detyruar të investojmë vetë në pjesëmarrjen në këto gara,” thotë trajneri.
Ndërkohë, Besarti thekson se ka filluar të merret me karate që në moshë të re dhe se ka pasur rezultate të shkëlqyera gjatë gjithë karrierës së tij. Ai nuk e sheh si mundësi ndalimin e këtij sporti dhe është i vendosur të vazhdojë përpjekjet për të arritur më shumë rezultate ndërkombëtare.
Pavarësisht këtyre suksesive dhe angazhimit të jashtëzakonshëm që kërkon ky sport, sfidat financiare mbeten një pengesë e madhe për sportistët që duan të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në arenat ndërkombëtare. Të gjithë shpresojnë se Komuna do të mbështesë ata që kanë dhënë aq shumë për të ngritur nivelin e sporteve të karatesë në vend.
Nga Komuna thonë që përgjigje nuk mund të lëshojnë pasi që nuk kanë rrymë.



