Polici që ngacmoi seksualisht një vajzë gjatë orarit të punës ende nuk është identifikuar
Edhe pse nga Ministria e Punëve të Brendshme dje konfirmuan për PORTALIKS rastin ku një polic gjatë orarit të punës ka ngacmuar seksualisht një vajzë të re, personi ende nuk është identifikuar.
Në një përgjigje për redaksinë tonë, Prokuroria e Shtetit deklaroi se rasti është në fazën parahetimore.
“Rasti për të cilin tregoni interes është në fazën parahetimore dhe po trajtohet nga një prokuror publik nga Departamenti i Specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe anëtarë të policisë së burgjeve pranë Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Bëhet fjalë për ngacmim seksual nga një polic i paidentifikuar dhe aktualisht po mblidhen prova për të ndriçuar rastin. Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e çështjes, nuk mund të ndahen më shumë detaje,” – deklaruan nga Prokuroria e Shtetit.