Një nga gjithsej tre ashensorët në garazhin në kate “Beko” pritet të servisohet së shpejti, ndërsa për dy të tjerët Qyteti i Shkupit dhe NP “Parkingu i Qytetit” do të vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje afatgjate.
Ashensorët në garazhin “Beko” janë jashtë funksionit që nga muaji prill. Për këtë arsye, qytetarët detyrohen të përdorin shkallët për të arritur deri te automjetet e tyre në garazhin shtatëkatësh.
Në përgjigjen për PortaliX, nga Qyteti i Shkupit nuk sqarojnë përse është zvarritur servisimi i ashensorëve për muaj të tërë. Nga ky institucion shkurtimisht njoftojnë se, në bashkëpunim me NP “Parkingu i Qytetit”, po punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate që do të mundësonte funksionimin e pandërprerë të ashensorëve.
Nga Qyteti i Shkupit theksojnë se bëhet fjalë për një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e qytetarëve, prandaj, sipas tyre, po veprojnë me kujdes në ndërmarrjen e aktiviteteve për zgjidhjen e problemit dhe përmirësimin e kushteve në garazhet në kate.
Gjendjen e krijuar e arsyetojnë me neglizhencën shumëvjeçare, mosrealizimin e serviseve të domosdoshme dhe mungesën e mirëmbajtjes së rregullt nga udhëheqësitë e mëparshme. Si shembull të ngjashëm përmendin edhe gjendjen e teleferikut të Vodnos.
Probleme me funksionimin e ashensorëve ka edhe në garazhin tjetër në kate, “26 Korriku”, i cili gjithashtu është nën kompetencat e Qytetit të Shkupit dhe NP “Parkingu i Qytetit”.
Sipas informacioneve të Qytetit të Shkupit, në garazhin “26 Korriku” aktualisht është funksional vetëm një ashensor i ri, ndërsa në garazhin “Beko” pritet që së shpejti një servisues i autorizuar të vërë në funksion një nga tre ashensorët ekzistues.
Megjithatë, nga Qyteti i Shkupit nuk japin përgjigje konkrete përse, pas kaq muajsh, planifikohet të vihet në funksion vetëm një ashensor, në çfarë gjendjeje janë dy të tjerët dhe kur qytetarët mund të presin zgjidhjen e plotë të problemit.
Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të paguajnë për shfrytëzimin e garazheve, edhe pse shërbimet që duhet të ofrohen në këto objekte nuk janë plotësisht funksionale.






