Institucioneve u nevojiten muaj, e ndoshta edhe vite, për të konstatuar ndryshimet në gjendjen materiale të përfituesve të të drejtave nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve.
Për shkak të konstatimit të vonuar të ndryshimeve në gjendjen materiale të përfituesve të të drejtave nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve, qytetarët përballen me borxhe për mjetet financiare që më parë u janë paguar nga shteti.
Autore: Bojana Spasovska
Një nënë e vetme me dy fëmijë të mitur, e cila përfitonte shtesë për fëmijë në vlerë prej 1.500 denarësh në muaj, për gati një vit nuk kishte dijeni se e drejta e saj ishte ndërprerë dhe as se kishte detyrim të kthente pothuajse 30 mijë denarë.
Për ndërprerjen e së drejtës për shtesë fëmijë mësoi pothuajse një vit më vonë
Pasi vërejti se pagesat nuk po i kalonin më në llogari, ajo vetë iu drejtua Qendrës për Punë Sociale për të verifikuar nëse duhej të dorëzonte sërish dokumentacionin. Në vend të një shpjegimi, iu dha një vendim për ndërprerjen e së drejtës, i nxjerrë në nëntor të vitit 2025, me të cilin ishte përcaktuar edhe detyrimi për të kthyer 29.456 denarë për shtesën e fëmijëve të paguar në periudhën nga shtatori 2024 deri në tetor 2025.
„Nuk mora asnjë shpjegim se çfarë po ndodhte, thjesht ma dhanë vendimin. Pastaj e lexova se më ishte ndërprerë e drejta dhe se duhej t’ia ktheja paratë shtetit”, thotë nëna.
Sipas kritereve ligjore, një familje prej tre anëtarësh me prind të vetëm mund të përfitojë shtesë për fëmijë nëse të ardhurat e saj nuk e tejkalojnë pragun e përcaktuar prej 21.080 denarësh. Tejkalimi i kësaj shume mund të çojë në humbjen e së drejtës për shtesën.
Nëna pretendon se ndërprerja e së drejtës nuk ishte konstatuar me kohë, edhe pse ndërkohë ishte punësuar dhe kishte tejkaluar pragun e të ardhurave. Për më tepër, sipas saj, vendimi nuk i ishte dorëzuar, kështu që për ndërprerjen e së drejtës dhe detyrimin për kthimin e mjeteve kishte mësuar vetëm pasi vetë ishte drejtuar në Qendër.
Ajo kujdeset edhe për nënën e saj, e cila nuk ka asnjë të ardhur. Me një pagë duhet të mbulojë nevojat e katër personave, të paguajë qiranë, faturat dhe kreditë.
„Nëna ime nuk ka asnjë të ardhur. Tri herë është refuzuar nga Qendra për Punë Sociale për përkujdesje nga një person tjetër. Nuk kemi ndihmë askund, përveç pagës sime nga puna. Me atë pagë duhet të paguaj qiranë, faturat dhe kreditë”, thotë ajo.
Për më tepër, në vitin 2021 dhe në vitin 2025 kishte paraqitur kërkesë për banesë sociale, por deri më tani nuk ka marrë zgjidhje për çështjen e saj të banimit.
Nga Qendra për Punë Sociale kërkuam shpjegim lidhur me mënyrën e dorëzimit të vendimit, përcaktimin e borxhit dhe arsyet pse pagesa e shtesës për fëmijë nuk ishte ndërprerë më herët.
Nga Qendra për Punë Sociale në Kisella Vodë thonë se vendimet i dorëzojnë përmes postës, me dërgesë të rekomanduar dhe dëftesë pranimi, në adresën e fundit të regjistruar të vendbanimit të përfituesit.
Ata thonë se e drejta për shtesë fëmijë rishqyrtohet rregullisht sipas detyrës zyrtare, përmes shkëmbimit të të dhënave me institucionet kompetente. Nëse konstatohet se të ardhurat e përgjithshme të familjes e tejkalojnë pragun e përcaktuar me ligj, e drejta ndërpritet.
Gjithashtu, ata i referohen Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, sipas të cilit përfituesi është i detyruar të raportojë çdo ndryshim të gjendjes materiale që ndikon në realizimin e së drejtës, brenda afatit prej 15 ditësh. Nëse nuk e bën këtë dhe vazhdon të marrë mjete financiare për të cilat nuk ka të drejtë, institucioni nxjerr vendim për kthimin e mjeteve të paguara pa bazë ligjore, për periudhën gjatë së cilës nuk janë plotësuar kushtet.
Ky detyrim ligjor i “mbron” institucionet, por përfituesit duhet të informohen për detyrimet e tyre ligjore.
Dhe shtrohet pyetja: nëse institucionet kompetente koordinohen rregullisht dhe shkëmbejnë të dhëna, si është e mundur që qytetarët të përballen me borxhe për periudha më të gjata se një vit?
Ministria po analizon dobësitë në sistemin e monitorimit të të ardhurave të përfituesve
Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë kërkuam shpjegim se përse ndryshimet në gjendjen materiale të përfituesve nuk konstatohen me kohë, si pasojë e së cilës vazhdojnë pagesat dhe krijohen borxhe për qytetarët.
Nga Ministria pranojnë se në sistemin ekzistues ka sfida dhe se po punohet në analizimin e mekanizmave për realizimin dhe monitorimin e të drejtave nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve.
„Analizat janë të orientuara drejt identifikimit të dobësive në mekanizmat ekzistues ligjorë dhe administrativë, përmirësimit të shkëmbimit të të dhënave ndërmjet institucioneve kompetente, si dhe shqyrtimit të mundësive për krijimin e një sistemi më efikas për konstatimin në kohë të ndryshimeve në gjendjen materiale dhe pasurore të përfituesve”, thonë nga Ministria.
Pas përfundimit të analizave, do të shqyrtohen masat e mundshme ligjore, institucionale dhe sistemore për tejkalimin e mangësive të konstatuara.
Por, ndërsa institucionet analizojnë dobësitë e sistemit, qytetarët tashmë po marrin vendime për kthimin e mjeteve financiare, të cilat, sipas pretendimeve të tyre, nuk e kanë ditur se i kanë përfituar pa bazë ligjore.
Pragu i të ardhurave është më i ulët se paga minimale, ndërsa shtesa për fëmijë mbetet e ulët
Problemi nuk qëndron vetëm te ndërprerja me vonesë e pagesave, por edhe te vetë kriteret për realizimin e së drejtës për shtesë fëmijë.
Pragu i të ardhurave prej 21.080 denarësh për një familje prej tre anëtarësh me prind të vetëm është më i ulët se paga minimale. Kjo do të thotë se punësimi me pagë minimale mund të çojë në humbjen e së drejtës për shtesë fëmijë.
Nga Ministria theksojnë se legjislacioni nuk parasheh harmonizim automatik të pragjeve të të ardhurave me rritjen e pagës minimale ose me inflacionin. Pragjet janë përcaktuar me metodologji ligjore përmes zbatimit të një shkalle ekuivalente, e cila merr parasysh madhësinë e familjes dhe koeficientin shtesë për prindin e vetëm.
Përveç pragut të të ardhurave, shtrohet edhe çështja se sa mbështetje ofron vetë shtesa për fëmijë. Për një fëmijë, shuma mujore varion nga 1.000 deri në 1.200 denarë, ndërsa për dy ose më shumë fëmijë nga 1.600 deri në 1.900 denarë, varësisht nga mosha e fëmijëve.
Shumat bazë të shtesës për fëmijë nuk janë ndryshuar që nga viti 2019. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve parasheh harmonizimin e tyre me rritjen e kostos së jetesës për vitin paraprak. Nga Ministria, ndërkaq, thonë se harmonizimi bëhet në përputhje me të dhënat që Enti Shtetëror i Statistikave publikon në janar për vitin aktual.
Borxh
prej gati 200 mijë denarësh për një nënë me tre fëmijë
Ky nuk është rasti i vetëm kur përfituesit e të drejtave nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve përballen me borxhe për shkak të mjeteve të paguara.
Biljana Toshevska nga Shkupi, nënë e tre fëmijëve, në vitin 2024 kishte fituar të drejtën për shtesë prindërore për fëmijën e tretë.
Në janar të vitit 2025 u punësua, por në korrik të vitit 2026 vërejti se pagesat nuk po i kalonin më në llogari. Pas paraqitjes në Qendrën për Punë Sociale, prej saj u kërkua vërtetim për punësimin, ekstrakt bankar me të dhëna për pagën e paguar, si dhe vërtetim se bashkëshorti i saj nuk ishte i punësuar.
Pas vizitës së dytë në Qendër, iu tha se nuk kishte më të drejtë për shtesën prindërore dhe se do të duhej t'i kthente mjetet që kishte marrë.
Sipas dëshmisë së saj, punonjësi i kishte treguar tavolinën, mbi të cilën kishte grumbuj dosjesh, dhe i kishte thënë se të gjithë ata përfitues do të duhej t'i kthenin mjetet financiare.
Vendimin për ndërprerjen e së drejtës për shtesë prindërore për fëmijën e tretë, së bashku me detyrimin për kthimin e mjeteve, e kishte marrë rreth dy javë më parë, edhe pse ndërprerja e së drejtës ishte përcaktuar nga 1 korriku i vitit 2026.
Bëhet fjalë për një borxh prej rreth 200 mijë denarësh për periudhën nga 1 janari 2025 deri më 30 qershor 2026.
Biljana konsideron se institucionet është dashur ta konstatojnë me kohë ndryshimin në gjendjen e saj materiale dhe ta ndërpresin pagesën, në vend që pas një periudhe të gjatë t'i caktonin detyrimin për kthimin e mjeteve.
„Shtrohet pyetja pse askush nuk më tha se, kur të punësohesha, duhej ta paraqisja këtë në Qendrën për Punë Sociale. Si është e mundur që në shekullin XXI, kur gjithçka është digjitalizuar, të mos e shohin se jam punësuar dhe të më njoftojnë menjëherë? Ose të paktën t'i ndërpresin pagesat për fëmijën e tretë? Për çfarë qëndrojnë aty, që pastaj fajin të na e hedhin neve?”, thotë ajo.
Për më tepër, Biljana thekson se me vetëm një person të punësuar në një familje prej pesë anëtarësh nuk mund të ndajë gati 200 mijë denarë për kthimin e mjeteve, pa rrezikuar nevojat themelore të fëmijëve të saj.
„Ja, si mundem unë tani, me vetëm një person të punësuar në një familje prej pesë anëtarësh, të ndaj para për t'i kthyer ato? Le të më thotë ministri në sy se cilin nga tre fëmijët e mi duhet ta lë pa bukë, që të mbush buxhetin me para? Nuk mundem, të tre i dua njësoj”, thotë Biljana.
Ajo kërkon nga Ministria që ta korrigjojë gabimin ndaj familjeve që përballen me borxhe të tilla dhe të rishqyrtojë kriteret për realizimin e kësaj të drejte.
Përfitimi
i shtesës prindërore për fëmijën e tretë kushtëzohet nga të ardhurat e familjes
Një problem i ngjashëm me kriteret e të ardhurave ekziston edhe te shtesa prindërore për fëmijën e tretë, e cila paguhet për një periudhë dhjetëvjeçare.
Në përputhje me ndryshimet e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve të vitit 2019, nga 23 marsi i vitit 2020, e drejta për shtesë prindërore për fëmijën e tretë realizohet në varësi të gjendjes materiale të familjes. Sipas kritereve ligjore, të ardhurat mesatare të përgjithshme të familjes së nënës, nga të gjitha burimet gjatë tre muajve të fundit para paraqitjes së kërkesës, si dhe gjatë gjithë periudhës së përfitimit të kësaj të drejte, duhet të jenë më të ulëta se paga minimale neto e përcaktuar për vitin paraprak.
Me këtë ndryshim ligjor, realizimi i kësaj të drejte kushtëzohet nga të ardhurat e familjes, që do të thotë se rritja e tyre mund të çojë në humbjen e mbështetjes financiare.
Shuma bazë mujore e shtesës prindërore për fëmijën e tretë është përcaktuar në 8.048 denarë, me detyrim ligjor për harmonizim vjetor sipas rritjes së kostos së jetesës.
Revizorët kanë konstatuar dobësi edhe në procedurat për kthimin e mjeteve financiare
Problemet me monitorimin e vonuar të përfituesve dhe kthimin e mjeteve të paguara pa bazë ligjore nuk janë vetëm pretendime individuale.
Enti Shtetëror i Revizionit, në raportin për pagesën e të drejtave nga mbrojtja sociale, ka përfshirë në auditim periudhën nga viti 2022 deri në qershor të vitit 2025. Revizorët kanë konstatuar dobësi në kontrollet dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve, si dhe vonesa në verifikimin e të dhënave për përfituesit.
Revizorët kanë konstatuar gjithashtu dobësi në procedurat për kthimin e mjeteve të paguara pa bazë ligjore. Ministria nuk ka miratuar udhëzime dhe procedura të qarta për lidhjen dhe monitorimin e marrëveshjeve për kthimin e borxhit, për shkak të së cilës qendrat për punë sociale i përcaktojnë në mënyra të ndryshme afatet, numrin dhe lartësinë e kësteve. Për më tepër, shumica e qendrave nuk kanë krijuar evidencë të rregullt për kërkesat financiare dhe arkëtimin e tyre.
Të dy rastet tregojnë se sa serioze mund të jenë pasojat e veprimit të vonuar institucional për familjet me të ardhura të ulëta. Ndërsa institucionet analizojnë dobësitë e sistemit dhe paralajmërojnë ndryshime të mundshme ligjore, qytetarët përballen me detyrime që mund ta rrezikojnë edhe më tej sigurinë e tyre materiale.






