Portali X
Ballina

Ndasitë më të thella se kombi që i bashkon: VLEN dhe BDI nuk lënë hapësirë për bashkëpunim

3 min 86
Ndasitë më të thella se kombi që i bashkon: VLEN dhe BDI nuk lënë hapësirë për bashkëpunim

As shqetësimet për diskriminimin institucional, as përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe as pretendimet për kufizimin e përdorimit të gjuhës shqipe nuk duket se janë arsye të mjaftueshme për t'i ulur në një tryezë të përbashkët VLEN-in dhe BDI-në.

Dy kampet politike shqiptare vazhdojnë të fajësojnë njëri-tjetrin për gjendjen e krijuar, ndërsa mundësia për një bashkëpunim përtej dallimeve partiake mbetet e largët.

PortaliX i pyeti drejtuesit e dy subjekteve politike nëse janë të gatshëm të ulen në një tryezë të përbashkët për të shqyrtuar mekanizma politikë dhe institucionalë që do t'i jepnin fund degradimit dhe diskriminimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Përgjigjet e Ali Ahmetit dhe Bilall Kasamit, megjithatë, nuk lënë shumë hapësirë për optimizëm.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk sheh arsye për të bashkëpunuar me përfaqësuesit e pushtetit aktual. Për të, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme.

“Nuk ka logjikë që të ulemi me një tavolinë me njerëzit që e sollën këtë gjendje. Zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja dhe forma e vetme për të ndalë këtë poshtërim dhe degradim që u bëhet shqiptarëve.
Nuk mund më të lejojmë që parti politike pa legjitimitetin e shqiptarëve, të përfaqësojnë interesat e tyre në ekzekutiv”, deklaroi Ahmeti për PortaliX.

Por nga VLEN-i, Bilall Kasami e sheh ndryshe situatën. Ai vlerëson se thirrjet për bashkim të faktorit politik shqiptar shfaqen sa herë që BDI-ja gjendet në vështirësi politike.

“Është simptomatike që nismat e tilla për ‘bashkim dhe bashkëpunim’ dalin në sipërfaqe gjithmonë kur BDI-ja dhe Ali Ahmeti e kanë punën pisk. Hera e fundit kur faktori shqiptar u ul në një tryezë ishte koha kur BDI-ja humbi gjysmën e elektoratit dhe ra në 10 deputetë. Ngjashëm qëndron edhe sot.
Ne jemi gjithmonë për dialog, sidomos në interes të shqiptarëve, por politikat destruktive të BDI-së nuk lënë hapësirë për këtë. Edhe sot e kësaj dite, BDI-ja bllokon Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, që buron nga Marrëveshja e Ohrit, vetëm për të penguar VLEN-in me inate politike. Mbase ky është shansi i BDI-së që duke votuar këtë ligj ta dëshmojë se e ka me gjithë mend interesin e shqiptarëve”, deklaroi Kasami për PortaliX.

Ai pranon se diskriminimi etnik vazhdon të jetë problem, por këmbëngul se VLEN-i po punon për ta luftuar atë.

“Sa i përket diskriminimit etnik, është çështje që po e luftojmë çdo ditë dhe në mënyrë aktive. Fatkeqësisht ka akoma elemente që nuk mund ta pranojnë realitetin kushtetues dhe shoqëror në vend dhe kjo betejë do të vazhdojë”, shtoi Kasami.

PortaliX kontaktoi për këtë çështje edhe Izet Mexhitin, por ai nuk iu përgjigj pyetjes sonë.

Përplasjet politike, ndërkohë, zhvillohen në një periudhë kur po shtohen shqetësimet për pozitën e shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Armata, deri te shëndetësia, shërbimet e sigurisë dhe ndërmarrjet publike, po ngrihen pyetje për përfaqësimin e shqiptarëve në punësime, pozita drejtuese dhe proceset e vendimmarrjes.

Së fundmi janë ngritur edhe pretendime për ndalimin e komunikimit në gjuhën shqipe brenda institucioneve, përfshirë një rast të raportuar në Institutin e Shëndetit Publik. Këto pretendime mbeten për t'u verifikuar nga institucionet përkatëse.

Por ndërsa shqetësimet për përfaqësimin dhe të drejtat e shqiptarëve kërkojnë përgjigje institucionale, përplasja mes VLEN-it dhe BDI-së vazhdon të përqendrohet te legjitimiteti politik dhe përgjegjësia për gjendjen e krijuar.

Ahmeti nuk pranon të ulet me ata që i konsideron përgjegjës për degradimin e pozitës së shqiptarëve. Kasami, nga ana tjetër, kërkon që BDI-ja ta dëshmojë përkushtimin ndaj interesit të shqiptarëve duke votuar Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.

Pra, njëra palë kërkon zgjedhje për ta larguar tjetrën nga pushteti, ndërsa tjetra kërkon votat e opozitës për ta dëshmuar gatishmërinë për bashkëpunim.

Deri atëherë, mundësia e një fronti të përbashkët politik shqiptar mbetet peng i rivalitetit mes dy kampeve.

Dhe ndërsa VLEN-i dhe BDI-ja nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët as për çështje që të dyja i konsiderojnë të rëndësishme për shqiptarët, mbetet e hapur pyetja se kush dhe si do t'i adresojë shqetësimet për diskriminimin dhe përfaqësimin e tyre në institucionet shtetërore.

PortaliX

Ndaje

Të ngjashme