
Pas publikimit nga Portalix të dokumenteve që ngrenë dyshime serioze për përfitim të paligjshëm të të drejtës për “kujdes nga tjetri” nga drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Tetovë, Magdalena Veselinovska, institucionet nuk dhanë asnjë sqarim për përmbajtjen e akuzave. Reagimi i vetëm publik ishte publikimi i një fotografie me Kryeministrin.
Megjithatë, faktet zyrtare tregojnë se dyshimet nuk janë të izoluara. Një mbikëqyrje inspektuese e realizuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka konstatuar se Qendra për Punë Sociale Tetovë, e udhëhequr nga Veselinovska, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Sociale.
Sipas raportit inspektues, janë evidentuar një sërë shkeljesh serioze: të drejtat nga mbrojtja sociale janë ndarë pa dokumentacion të plotë, nuk është kryer kontroll në shtëpitë e përfituesve, vendimet janë marrë mbi bazën e gjendjes faktike të papërcaktuar plotësisht, si dhe nuk janë zbatuar masat e mëparshme të urdhëruara nga inspektorati. Për këto parregullsi, drejtoresha ka marrë vërejtje inspektuese, ndërsa institucionit i janë urdhëruar masa korrigjuese.
Por këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme. Në mbikëqyrjen kontrolluese të tetorit 2024, inspektorati ka konstatuar edhe më tej se në disa lëndë konkrete janë kryer pagesa të paarsyetuara të mjeteve financiare. Si rezultat, është urdhëruar kthimi i mjeteve të paguara në mënyrë të paligjshme ose nisja e procedurës për dëmshpërblim, me afat prej 60 ditësh, duke theksuar se ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit.
Me fjalë të tjera, raportet zyrtare konfirmojnë se para publike janë shpërndarë në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, përballë këtyre gjetjeve, nuk ka as përgjegjësi politike dhe as sqarim institucional. Në vend të përgjigjeve për shkeljet dhe pagesat e paligjshme, publikut i ofrohet një fotografi me Kryeministrin.
Pyetja mbetet e hapur: a mjafton një fotografi për të mbuluar shkeljet ligjore dhe keqpërdorimin e mjeteve shtetërore?



