
Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Tetovë, Magdalena Veselinovska, ka mohuar publikisht përgjegjësinë për parregullsitë për të cilat po raportohet, duke deklaruar se ajo nuk ka kryer shkelje dhe se problemet janë të trashëguara nga periudha para mandatit të saj. Megjithatë, dokumentet zyrtare të inspektimit, të siguruara nga PortalX, tregojnë se mbikëqyrjet inspektuese janë realizuar gjatë viteve 2024 dhe 2025, në kohën kur Veselinovska ka qenë në krye të institucionit.
Në deklaratat e saj publike, Veselinovska pretendon se parregullsitë që lidhen me pagesa të paligjshme, mungesë dokumentacioni dhe pagesa retroaktive nuk kanë ndodhur gjatë drejtimit të saj dhe se këto raste janë trajtuar nga organet kompetente. Ajo po ashtu thekson se përfitimi i të drejtës për “kujdes nga tjetri” nga ana e saj është realizuar në mënyrë të ligjshme dhe se publikimi i të dhënave nga lëndët përkatëse përbën bazë për kallëzim penal.
Por procesverbalet e inspektimit flasin ndryshe. Sipas një procesverbali të inspektimit kontrollues të datës 25 nëntor 2024, inspektorati ka kryer kontroll mbi lëndët e përfituesve të të drejtave sociale dhe ka konstatuar mangësi serioze në zbatimin e masave të mëparshme, të përcaktuara me vendime inspektuese. Në këtë dokument, si person përgjegjës i subjektit të kontrollit figuron Magdalena Veselinovska, në cilësinë e ushtrueses së detyrës drejtoreshë.

Gjatë këtij kontrolli janë shqyrtuar 22 lëndë, ndërsa inspektorati ka evidentuar se në një numër rastesh mungon dokumentacioni i plotë për gjendjen materiale dhe pasurore të përfituesve. Po ashtu, janë konstatuar raste ku nuk janë kryer verifikime të drejtpërdrejta në familje, edhe pse procedura ligjore e kërkon një veprim të tillë. Inspektorati thekson gjithashtu se një pjesë e masave të urdhëruara më herët nuk janë zbatuar plotësisht, çka ka qenë bazë për shqiptime të masave shtesë dhe për paralajmërim të procedurave të mëtejshme.
Në dokumente përmenden edhe raste konkrete, të identifikuara me numra vendimesh dhe data, ku janë konstatuar mangësi procedurale. Në disa prej tyre, përfituesve u është ndërprerë vazhdimi i të drejtave sociale, ndërsa në raste të tjera është kërkuar rishqyrtim i lëndëve për shkak të parregullsive të evidentuara.
Dokumentet e siguruara nga PortalX tregojnë se mbikëqyrje inspektuese janë realizuar edhe në tetor 2024 dhe në nëntor 2025, sërish në periudhën kur Veselinovska ka qenë në krye të Qendrës për Punë Sociale në Tetovë. Edhe në këto raste janë konstatuar mangësi konkrete dhe janë shqiptuar masa për tejkalimin e tyre brenda afateve të përcaktuara nga inspektorati.

Këto të dhëna e vënë në pikëpyetje narrativën sipas së cilës drejtuesja aktuale nuk mban përgjegjësi për situatën në institucion. Procesverbalet e inspektimit të viteve 2024 dhe 2025 tregojnë qartë se shkeljet dhe mangësitë janë konstatuar gjatë mandatit aktual, ndërsa institucionit i janë dhënë masa të detyrueshme për veprim.
PortalX do të vazhdojë të hetojë jo vetëm funksionimin e Qendrës për Punë Sociale në Tetovë, por edhe të gjitha institucionet e tjera publike ku ekzistojnë dyshime për shkelje të ligjit, keqpërdorim të fondeve publike dhe mosrespektim të procedurave ligjore.PortaliX.



