
LSDM ka prezantuar sot projektin e ri “Bomba 2.0”, i cili, sipas liderit Venko Fllipçe, do të shërbejë për të zbardhur skandale dhe skema korruptive që partia akuzon se janë kryer nga funksionarë të VMRO-DPMNE-së. Në kuadër të programit “Forca e Re”, LSDM ka formuar një ekip të specializuar antikorrupsion që do të analizojë dokumente, do të publikojë raste dhe do të dorëzojë kallëzime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Fllipçe bëri të ditur se LSDM ka ftuar zyrtarisht Prokuroren Evropiane, Laura Koveshi, të vizitojë Shkupin dhe të njihet me rastin e IPARD-it, ku – sipas tij – janë të rrezikuara 130 milionë euro fonde të BE-së. Ai e cilësoi këtë “abuzimin më të madh me para evropiane në historinë e vendit”, për të cilin akuzoi njerëz të afërt me kryeministrin Hristijan Mickoski.
LSDM paralajmëroi gjithashtu një platformë online ku qytetarët do të mund të raportojnë skandale dhe të ngarkojnë dokumente dhe dëshmi.
Sipas Fllipçes, partia do të kërkojë mbështetje edhe nga institucionet italiane të luftës kundër mafias, për të përdorur përvojën e tyre kundër “mafias së VMRO-DPMNE-së”.
Ai deklaroi se “bombat e para 2.0” tashmë janë përgatitur dhe se nesër LSDM do të publikojë një skandal të ri që përfshin, siç tha ai, zyrtarë të qeverisë.
“Beteja sapo ka nisur. Korrupsioni duhet të marrë fund dhe kushdo që ka vjedhur do të përgjigjet,” theksoi Fllipçe.



