LokalXLajme

Mickoski kritikon gjyqësorin për paga të larta, ndërsa këshilltarët e tij paguhen deri në 90 mijë denarë

Gazetari i PortaliX, Furkan Saliu, ka analizuar deklaratat e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili çdo ditë e më shpesh komenton pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Saliu vëren se kryeministri vazhdimisht përmend shifrën prej 100 deri në 144 mijë denarëve që marrin gjyqtarët, duke e paraqitur këtë si barrë të madhe për buxhetin.

Ai thekson se Mickoski e redukton funksionimin e sistemit gjyqësor vetëm në pagat, edhe pse ekzistojnë një sërë shpenzimesh të tjera elementare që ndikojnë në funksionimin e gjykatave. Në analizën e tij, ai shkruan se “përveç pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ekzistojnë edhe shpenzime të tjera që u mundësojnë njerëzve të marrin drejtësi. Për shembull, harron se në gjykatë nuk mund të shkosh as në tualet si njeri, e lëre më të kërkosh drejtësi sipas asaj që e përcakton ligji”, ka deklaruar Saliu.

Ndërsa Mickoski kritikon pagat e gjyqësorit, Saliu ka krahasuar këto shifra me pagesat që kryeministri ua jep këshilltarëve të tij. Sipas të dhënave që ka publikuar, kabineti i kryeministrit ka 17 këshilltarë, shumica prej tyre ish-ministra, ish-zëvendëskryeministra, ish-drejtorë, ish-ambasadorë dhe persona nga shërbimet e inteligjencës. Paga e tyre lëviz nga 60 deri në 90 mijë denarë.

Nga baza “Financat e hapura”, të cilën Saliu e ka kontrolluar, shihen pagesa të rregullta për disa prej tyre.

Aleksandar Spasenovski merr afro 90 mijë denarë çdo muaj që nga fillimi i kësaj qeverie.

Zoran Stavrevski, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-ministër i financave, paguhet me 60 mijë denarë, ndërsa në disa muaj figurojnë edhe dy pagesa të tilla.

Edhe Trajko Veljanoski merr rregullisht 60 mijë denarë, ndërsa në kabinet janë edhe ish-drejtorët e DSK-së, Goran Nikolovski dhe Ljupço Andonovski.

Në storjen e tij përmenden edhe raste të tjera, si Igor Nikolov, i cili deri në emërimin si ambasador në Francë ka marrë rreth 90 mijë denarë si këshilltar i kryeministrit, apo Sasho Markovski, ish-ambasador, i cili sot merr po aq si këshilltar për politikë të jashtme.

Një nga rastet më të veçanta është ai i Dame Dimitrovskit, profesor në Fakultetin e Makinerisë dhe këshilltar për ekologji, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe do të marrë para paralelisht nga tre institucione shtetërore.

Saliu rikujton edhe pjesën ku kryeministri thotë se “besimi në gjyqësor është 2%”, duke nënvizuar se Mickoski nuk përmend se besimi i qytetarëve te politikanët është vetëm 3%. Sipas gazetarit, kjo tregon se kritikat ndaj pagave përdoren si instrument politik, ndërsa shpenzimet në kabinetin e kryeministrit mbeten të paadresuara.

Related Articles

Back to top button