
Policia e Strugës ka ngritur padi penale kundër pesë personave, mes tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko, për shkak të prishjes së pjeshme të shtëpisë përkujtimore të autorit të himnit maqedonas, Vllado Maleski, një objekt i mbrojtur si trashëgimi e rëndësishme kulturore.
Rasti nisi pas veprimeve të investitorit N.K. (53) nga Veleshta, i cili më 15 tetor 2025, në mënyrë të kundërligjshme, përdori makineri ndërtimi për shembjen e një shtëpie të vjetër pranë objektit përkujtimor. Gjatë gërmimeve, ai dëmtoi themelet e murit jugor të Shtëpisë Përkujtimore të Maleskit, e mbrojtur si trashëgimi kulturore që nga viti 2017.
Sipas kallëzimit penal, përgjegjësia shtrihet edhe tek arkitektja-konservatore V.N. (62) nga Ohri, e cila ka vendosur vulën zyrtare dhe ka nënshkruar dokumentacionin projektues për ndërtimin e një shtëpie familjare, duke shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe planet e menaxhimit për rajonin e mbrojtur të Ohrit. Ajo akuzohet për “punë të pakujdesshme në shërbim”.
Ndër të pandehurit është edhe Ramiz Merko, i cili, sipas MPB-së, si kryetar i Komunës së Strugës ka abuzuar me detyrën zyrtare duke nënshkruar lejen e ndërtimit në kundërshtim me aktet e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe me vendimet e Administratës së Trashëgimisë Kulturore.
Në skemë përfshihen edhe dy zyrtarë komunalë:
– N.N. (56), drejtues i Departamentit të Planifikimit Urban, i cili ka përgatitur lejen;
– Gj.D. (59), ndihmës-drejtor në sektorin urbanistik, që e ka miratuar atë.
Ngjarja riktheu në qendër të vëmendjes trajtimin e trashëgimisë kulturore në Strugë. Pas incidentit të mes-tetorit, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, njoftoi nisjen e menjëhershme të projektit për rindërtimin dhe restaurimin e shtëpisë përkujtimore të Maleskit.
Organi i akuzës pritet të vlerësojë përgjegjësinë e secilit të përfshirë, ndërsa opinioni kërkon sqarime se si një objekt i mbrojtur ka arritur të dëmtohet nën kontrollin e disa institucioneve përgjegjëse.



