LokalXLajme

Zyrtarisht më 11 janar zgjedhje në komunat ku dështoi votimi i tetorit

Votimi i dështuar në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 19 tetor do të përsëritet më 11 janar 2026 në katër komuna të vendit: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë–Rostushë dhe Qendër Zhupë. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja u nënshkrua sot nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Me hyrjen në fuqi të aktvendimit, institucionet përgjegjëse – përfshirë Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe komisionet komunale – detyrohen të nisin menjëherë zbatimin e afateve dhe procedurave ligjore. Procesi, sipas Kryetarit të Kuvendit, duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe standardet ndërkombëtare.

Në deklaratën e tij të zgjeruar, Afrim Gashi i bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe aktorëve politikë që të garantojnë një proces të ndershëm, transparent dhe profesional:
“I ftoj të gjitha institucionet përgjegjëse të veprojnë me përpikëri dhe përgjegjësi të plotë. KSHZ-ja, komisionet komunale dhe të gjitha organet mbikëqyrëse duhet të sigurojnë një proces korrekt, ku çdo hap të jetë i dokumentuar qartë dhe i hapur për publikun. Vetëm kështu mund të ndërtojmë besimin në proceset tona demokratike.”

Ai u bëri apel edhe partive politike dhe kandidatëve që marrin pjesë në garë:
“U kërkoj të gjitha subjekteve politike që ta zhvillojnë këtë proces larg tensioneve, shantazheve apo presioneve ndaj votuesve. Fushatat të jenë të ndershme, të bazuara në ide dhe programe, dhe jo në konflikte apo gjuhë përçarëse. Vetëm zgjedhjet e qeta dhe fer e forcojnë demokracinë tonë.”

Gashi theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare, duke e cilësuar votën si një nga shtyllat kyçe të legjitimitetit institucional:
“I ftoj qytetarët e këtyre komunave të dalin masivisht në votime dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike. Pjesëmarrja e çdo qytetari është garanci për një proces të drejtë dhe përfaqësues. Përsëritja e zgjedhjeve na rikujton se çdo votë ka peshë dhe se demokracia ndërtohet mbi pjesëmarrjen aktive të qytetarëve.”

Në fund, Kryetari i Kuvendit theksoi angazhimin e institucionit që drejton:
“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet i përkushtuar ndaj organizimit të proceseve të rregullta zgjedhore dhe forcimit të institucioneve të vendit. Ne do të vazhdojmë të punojmë për garantimin e standardeve më të larta demokratike.”

Zgjedhjet e përsëritura më 11 janar pritet të mbyllin ciklin e nisur më 19 tetor, duke siguruar zgjedhjen e kryetarëve të rinj të komunave ku votimi u anulua në raundin e parë./PortaliX

Related Articles

Back to top button