
Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe njëkohësisht kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka informuar Komitetin Ekzekutiv të partisë se tashmë kanë filluar negociatat me partnerët e koalicionit në lidhje me rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë.
Lajmin e bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Gjorgjija Sajkovski, në një intervistë për televizionin “Sitel”. Ai tha se negociatat janë ende në fazën fillestare dhe se disa prej partive që marrin pjesë në koalicion tashmë kanë paraqitur kërkesat e tyre.
“Sipas informacioneve që Kryetari ua komunikoi anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, negociatat kanë filluar me aktorët politikë brenda Qeverisë. Bëhet fjalë për fazën e parë të bisedimeve, ku disa prej subjekteve kanë dorëzuar kërkesat e tyre. Qeveria, përkatësisht Kryeministri, do t’i vazhdojë negociatat në periudhën e ardhshme, ndërsa opinioni do të informohet në kohën e duhur”, deklaroi Sajkovski.
Ai shtoi se beson që partnerët aktualë të koalicionit, përfshirë VLEN dhe ZNAM, mbeten “mbështetje e fortë e Qeverisë” dhe se kjo gjendje do të vazhdojë edhe në periudhën që vjen.
Rikonstruimi i paralajmëruar pritet të përcaktojë ndryshime të funksioneve brenda ekzekutivit, ndërsa negociatat me partnerët politikë pritet të vazhdojnë gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme.



