LokalXLajme

Bexheti e quajti policinë financiare “Bandë të organizuar që po zbaton urdhëra politike të Mickosit”

Ish-kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, ka mohuar akuzat e Policisë Financiare, e cila dje dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup duke e lidhur atë me një dëm të pretenduar prej mbi 108 milionë denarësh (rreth 1.76 milionë euro). Bexheti e cilësoi rastin si një padi të montuar politikisht, të orkestruar – sipas tij – nga vetë kryeministri Hristijan Mickoski për të ushtruar presion ndaj deputetëve të BDI-së.

“Ky kallëzim penal është i motivuar politikisht dhe krejtësisht i pabazuar në ligj. Është pjesë e një persekutimi të organizuar nga qeveria dhe nga vetë kryeministri Mickoski, me synim rritjen e shumicës parlamentare përmes presionit ndaj deputetëve të BDI-së”, deklaroi Bexheti në konferencën për shtyp.

Sipas Policisë Financiare, Bexheti dhe shtatë zyrtarë e ish-zyrtarë të Komunës së Sarajit dhe të Qytetit të Shkupit dyshohen për miratim të dokumenteve ndërtimore të rreme, edhe pse për parcelën kadastrale KP 10405/6 në Saraj nuk ekzistonte plan urbanistik i vlefshëm. Edhe përkundër kësaj, thuhet se janë lëshuar përmbledhje të planit, leje ndërtimi dhe llogaritje financiare për kompensimin e tokës ndërtimore, duke tejkaluar autorizimet ligjore. Hetimi pretendon gjithashtu se në këtë proces ishte i përfshirë edhe një inxhinier mbikëqyrës, i cili ka dorëzuar raport teknik përfundimtar me përmbajtje të pavërtetë. Në bazë të këtyre veprimeve, kompania “Azra Idriz” SHPKN Glumovë – Saraj dyshohet të ketë përfituar padrejtësisht 108.638.840 denarë.

Bexheti i hodhi poshtë të gjitha këto pretendime, duke theksuar se të gjitha procedurat e komunës janë kryer sipas ligjit, me dokumente të vlefshme dhe brenda kompetencave të përcaktuara. “Të gjitha procedurat e Komunës janë kryer brenda ligjit, me dokumente dhe akte të vlefshme. Nuk ka pasur asnjë paramendim, asnjë përfitim dhe asnjë dëm për komunën”, tha ai. Sipas tij, dhënia e lejeve të ndërtimit është kompetencë ligjore e kryetarit të komunës dhe nuk përbën vepër penale, ndërsa plani urbanistik mbi të cilin janë bazuar lejet ka qenë i vlefshëm.

Ai e cilësoi si “gënjeshtër të fabrikuar” pretendimin e institucioneve se është shkaktuar dëm prej 108 milionë denarësh, duke thënë se bëhet fjalë për spektakël politik dhe propagandistik. Në deklaratën e tij, Bexheti paralajmëroi procedura kundër drejtorit të Policisë Financiare Slobodan Ivanovski, zëvendësdrejtorit Ilber Imeri dhe dy zyrtarëve të tjerë, të cilët i quajti “bandë të organizuar që po zbatojnë urdhëra politike”. “Do të dëshmojmë me prova se urdhrat vijnë direkt nga kryeministri Mickoski. Ne nuk kemi frikë dhe nuk do t’i nënshtrohemi askujt”, theksoi ai.

Në fjalën e tij, ish-kryetari tha se ky sulm nuk është vetëm ndaj tij, por ndaj “dinjitetit politik të shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë”, duke shtuar se BDI “nuk frikësohet dhe nuk shitet”, ndërsa lufta për barazi dhe dinjitet do të vazhdojë. Ai përsëriti se nuk do të heshtë dhe se e vërteta do të dëshmohet “ligjërisht, institucionalisht dhe politikisht”. Rasti tani është në duart e Prokurorisë, e cila pritet të vendosë për hapat e mëtejshëm.

Related Articles

Back to top button