LokalXLajme

Albin Kurti uron VLEN-in për fitoren

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar Koalicionin VLEN për fitoren e gjerë në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë rezultat si dëshmi të qeverisjes së ndershme dhe të besimit qytetar tek ndryshimi.

Në një postim publik, Kurti i ka uruar personalisht dy liderët e koalicionit, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, për fitoret në Çair dhe Tetovë – dy nga qendrat më të rëndësishme shqiptare në vend.

“Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen me diferencë të thellë”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri kosovar theksoi se kjo fitore pasqyron një model të ri të qeverisjes — pa korrupsion, pa skandale dhe me përkushtim ndaj interesit publik. Sipas tij, VLEN-i ka arritur të ruajë integritetin dhe besueshmërinë përmes një stili politik që dallon qartë nga qeverisjet e mëparshme.

“Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, duke bërë një dallim etik me qeverisjet e kaluara,” theksoi Kurti.

Ai shtoi se fryma e re politike që përfaqëson VLEN ka ndikuar pozitivisht edhe në marrëdhëniet ndërfqinjësore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat, sipas tij, “janë më të forta se kurrë më parë”.

“Nga takimi përmbajtësor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore,” shkroi Kurti.

Related Articles

Back to top button