LokalXLajme

Vrasje makabre në Kavadar: Vëllai vrau të vëllain në ditëlindjen e tij për pasurinë familjare

Prokuroria Publike në Kavadar ka ngritur aktakuzë kundër një 43-vjeçari, i cili akuzohet për vrasjen brutale të vëllait të tij më të vogël. Krimi tronditës ndodhi më 27 korrik të këtij viti, pikërisht në ditën e ditëlindjes së viktimës, ndërsa motivi dyshohet të ketë qenë pasuria familjare.

Sipas aktakuzës, mes dy vëllezërve kishte shpërthyer një konflikt, pasi i akuzuari besonte se vëllai donte t’i merrte pasurinë. “I shtyrë nga zemërimi dhe urrejtja, i akuzuari e ka goditur vëllain në kokë me pjesën metalike të sqeparit. Pasi ai ka rënë në tokë, e ka goditur edhe dy herë të tjera, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pas ngjarjes, autori është kthyer në shtëpi dhe ka tentuar të fshehë gjurmët e krimit. Ai ka pastruar gjakun, trupin e viktimës e ka fshehur në një depo, ku e ka mbuluar me kompensatë druri dhe sende të tjera, për ta maskuar vendin e krimit. Në ditët që pasuan, ai madje ka përdorur kartelën bankare të vëllait të vrarë për të tërhequr para.

Trupi i viktimës, 42-vjeçar nga Kavadari, u gjet më 5 gusht pas një jave kërkimesh intensive nga policia, pasi motra e tij e kishte raportuar si të zhdukur. Autopsia konfirmoi se bëhej fjalë për vrasje të qëllimshme dhe makabre.

Për veprën penale “vrasje”, ligji parashikon dënim me burgim të përjetshëm ose së paku 10 vjet heqje lirie. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu që ndaj të akuzuarit të vazhdojë masa e paraburgimit deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Related Articles

Back to top button