LokalXLajme

Nis hetimi ndaj drejtorit dhe përgjegjësit në “Higjienën Komunale”!

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka lëshuar urdhër për fillimin e procedurës hetimore kundër dy personave, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale – Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina, sipas nenit 230 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Të dyshuarit – njëri ushtrues detyre drejtor, ndërsa tjetri përgjegjës për mbeturina në ndërmarrjen publike „Higjiena Komunale“ – Shkup, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për menaxhim me mbeturinat dhe me veprimtarinë e tyre bazë për grumbullimin dhe transportimin e rregullt të mbeturinave të padëmshme në territorin e Qytetit të Shkupit.

Ata gjithashtu nuk i kanë respektuar detyrimet e përcaktuara në Programin operativ për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale dhe në Planin operativ për mirëmbajtjen e pastërtisë publike në qytet.

Si pasojë e mungesës së mbikëqyrjes së plotë mbi procesin e grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave komunale, si dhe për shkak të menaxhimit të parregullt me mbeturinat, gjatë këtij muaji janë krijuar deponi të vogla ilegale në hapësira publike dhe rrugore, afër kontejnerëve të parashikuar për mbeturina. Kjo ka shkaktuar dëmtim të ndjeshëm të cilësisë së tokës, ajrit dhe ujit, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve përmes mundësisë së shfaqjes së sëmundjeve infektive ose të tjera.

Këto dyshime janë konstatuar gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme inspektuese të kryera nga inspektorët lokalë për mjedis jetësor, të cilët kanë vepruar me udhëzim të Prokurorisë Publike, si dhe me mendimin ekspert të Institutit të Shëndetit Publik të RMV-së, lidhur me ndikimin e mbeturinave në shëndetin publik dhe rrezikun e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse.

Për shkak të rrezikut të ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe mundësisë së përsëritjes së veprës, prokurori publik ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit.

Related Articles

Back to top button