LokalXLajme

Vrau vëllanë për pasuri, trupin e fshehu në oborrin e shtëpisë

Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka ngritur aktakuzë kundër një personi 43-vjeçar për veprën penale “Vrasje” sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 4 të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.

I akuzuari, më 27 korrik të këtij viti, nga motive përfitimi material, e privoi nga jeta vëllain e tij më të vogël. Gjatë festës së ditëlindjes së viktimës, mes dy vëllezërve shpërtheu një debat, pasi i akuzuari besonte se vëllai donte t’ia merrte të gjithë pasurinë. I pushtuar nga zemërimi dhe urrejtja, ai e goditi me pjesën metalike të një sëpate në kokë. Kur viktima ra në tokë, e goditi edhe dy herë të tjera, duke i shkaktuar plagë fatale që sollën vdekjen e menjëhershme.

Pas krimit, i akuzuari u largua nga vendngjarja, por ditën tjetër u kthye në shtëpinë e viktimës dhe trupin e pajetë e tërhoqi në banjë. Në ditët në vijim u kthye disa herë për të fshehur gjurmët, fshiu gjakun nga dyshemeja dhe objektet, ndërsa trupin e zhvendosi në një kasolle, ku e groposi në një hendek dhe e mbuloi me dërrasa e sende të tjera.

Në periudhën nga 30 korriku deri më 5 gusht, kur trupi u zbulua, i akuzuari në disa raste përdori kartelën bankare të viktimës për të tërhequr para.

Me aktakuzën e dorëzuar, prokurori publik ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të pandehurin.

Related Articles

Back to top button