
Dalja në zgjedhjet lokale deri në orën 13:00 është 20,12 për qind, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ). Votimi po zhvillohet pa probleme dhe deri tani nga komisionet komunale zgjedhore, si dhe nga këshillat zgjedhorë, nuk janë pranuar asnjë njoftim për ndonjë parregullsi apo shkelje të mundshme.
Siç informoi zëdhënësja e KSHZ-së, Radica Todorovska Aleksovska, deri në orën 13:00 janë pranuar të dhëna nga 3 207 vendvotime. Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të cilët janë pranuar të dhëna është 1 666 298, ndërsa prej tyre kanë votuar 335 244.
Përqindja e vendvotimeve nga të cilat janë pranuar këto të dhëna është 92,31.
– Dalja më e madhe është në Bogdancë 27,31 për qind, Vevçan 33,76, Gradsko 26,01, Debërcë 28,42, Demir Kapi 29,25, Dojran 30,74, Kratovë 30,01, Kriva Pallankë 32,42, Lozovë 31,86, Novaci 36,52, Rankovcë 32,07 dhe Çashkë 40,74 për qind, ndërsa dalja më e ulët është regjistruar në Bosillovë 12,96 për qind, Vrapçisht 7,23, Gazi Babë 18,97, Gostivar 11,66, Dibër 13,87, Zhelinë 17,19, Jegunovcë 17,50, Mavrovë dhe Rostushë 14,45, Plasnicë 18,88, Radovish 17,97, Strugë 16 dhe Shuto Orizarë 13,76 për qind, informoi Todorovska Aleksovska në konferencë për shtyp.
Në Qytetin e Shkupit, dalja është 20,07 për qind, përkatësisht sipas komunave: në Aerodrom 20,63, Butel 20,69, Gazi Babë 18,97, Gjorçe Petrov 19,67, Karposh 21,69, Kisella Vodë 20,89, Saraj 21,18, Qendër 22, Çair 19,17 dhe Shuto Orizarë 13,76 për qind.
– Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, sipas përmbledhjes së atëhershme në orën 13:00, dalja në Shkup ishte 20,76 për qind, theksoi Todorovska Aleksovska.