
Deri në këtë moment, dita e sotme zgjedhore nga Zgjedhjet Lokale 2025 po kalon përgjithësisht e qetë dhe pa shkelje më të mëdha të procesit zgjedhor, sipas informatave të marra nga prokuroritë publike në mbarë vendin, informon Prokuroria Publike e shtetit. Theksohet se që nga fillimi i votimit në mëngjes, deri te prokuroritë publike dhe në adresën elektronike të posaçme [email protected], nuk janë paraqitur incidente apo parregullsi në vendvotime që do të përmbanin elemente të veprës penale.
– Një prokuror publik nga PPO Strumicë sot është njoftuar gojarisht për fletëvotime të shtypura gabim në Novo Sellë dhe është zhvilluar një bisedë. Është njoftuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve që ta zëvendësojë materialin, por nuk ka elemente të veprës penale. Gjatë ditës së djeshme, ngjarje individuale me pretendime për ryshfet zgjedhor janë evidentuar në PPO Veles, PPO Prilep, PPO Kriva Pallankë dhe PPO Sveti Nikollë. Në të gjitha po merren masa sipas udhëzimeve të prokurorit publik për të hetuar pretendimet. Ka disa informacione edhe në lidhje me ngjarje me elemente të shkeljes së heshtjes zgjedhore, por deri në këtë moment janë evidentuar numër shumë i vogël i ngjarjeve që eventualisht mund të kenë karakteristika të veprës penale, prandaj, duke pasur parasysh këtë, procesi zgjedhor deri në këtë moment po zhvillohet pa shkelje më të mëdha nga aspekti i veprimit të prokurorisë publike, thuhet në njoftimin e JORM.
Theksohet se Komisioni i përkohshëm i Prokurorisë Publike për ndjekjen e parregullsive eventuale zgjedhore edhe sot vazhdon ta ndjekë tërë rrjedhën e procesit zgjedhor, ndërsa adresa elektronike [email protected] mbetet e hapur për të gjitha denoncimet e mundshme për dyshime për vepra penale që mund të cenojnë rrjedhën e zgjedhjeve.
– Edhe sot janë organizuar kujdestari të jashtëzakonshme në të gjitha prokuroritë themelore publike, ndërsa prokuroria bashkëpunon ngushtë edhe me institucionet e tjera kompetente për ndjekjen e procesit zgjedhor. Të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund të cenojnë procesin zgjedhor do të hetohen, dhe lëndët do të kenë përparësi në trajtim në prokuroritë publike, njoftoi Prokuroria Shtetërore.