
Transporti ajror në vend nuk do të ndërpritet të hënën. Sindikata Profesionale e Kontrollorëve të Fluturimit të Maqedonisë (SPKFM) njofton se do të respektojë vendimin e djeshëm të Gjykatës Civile për masa të përkohshme që ndalon grevën, të ilën kjo Sindikatë duhej ta realizonte të hënën nga ora 10:00 deri në orën 15:00, duke ndaluar të gjitha nisjet dhe uljet në aeroportin e Shkupit dhe Ohrit, si dhe duke reduktuar shërbimin për 50 për qind për fluturimet kalimtare. Ata do të ankohen për vendimin dhe do të kërkojnë që çështja të kthehet për rigjykim për të prezantuar mbrojtjen e tyre. Gjithashtu do të drejtohen te Këshilli Gjyqësorë Republikan dhe do të paraqesin ankesë kundër gjyqtares që ka udhëhequr lëndën.
“Duhet ta respektojmë vendimin e Gjykatës, sot dë ta informojmë M-NAV se nuk do të ketë grevë, do ta pezullojmë grevën, por nuk do të anulohet dhe do të vazhdojmë me aktivitete të tjera, por do të gjejmë një mënyrë për të bërë gjithçka që është e nevojshme për të arritur kërkesat tona që janë pjesë e Marrëveshjes për të cilën insistojmë që drejtorët duhet ta respektojnë”, tha sot në konferencën për shtyp kryetari i SPKFM-së, Aleksandar Tasevski.
Gjykata Civile dje mori një vendim me të cilin, siç u njoftua, u miratua kërkesa e M-NAV SHA Shkup për vendosjen e një mase të përkohshme që ndalon grevën e paralajmëruar nga SPKFM-ja. Me këtë vendim, njoftoi M-NAV, Gjykata konstaton se greva e paralajmëruar është në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi nuk është zbatuar procedura për zgjidhje paqësore të konflikteve kolektive, si dhe se greva nuk buron nga kërkesa konkrete lidhur me marrëdhënien e punës.
Seanca fillimisht ishte paralajmëruar se do të mbahet sot, ndërsa Tasevski tha se nuk ka pasur asnjë paralajmërim, as ftesë për padinë, gjegjësisht se ka një procedurë kundër Sindikatës për ndalimin e grevës.
“Pas njoftimit të djeshëm për një vendim të tillë dhe pasi u njohëm me dokumentacionin që na u dorëzua përmes avokatit të tyre, ne ishim të gatshëm sot të paraqitemi në atë seancë, por rezultoi se ishte anuluar dhe fare nuk na u dha mundësia të paraqesim mbrojtjen tonë dhe të kundërshtojmë gjithçka që është e pavërtetë në padinë e tyre në Gjykatë”, tha Tasevski.
Sipas tij, padia nga ana e M-NAV nuk është aspak kërkesë për masë të përkohshme, por, siç tha ai, për fillimin e një procedure që duhet të zhvillohet në seancë gjyqësore, dhe nga ajo procedurë, përmes paraqitjes së provave nga të dyja palët, të konstatohet nëse gjithçka është respektuar, kemi të drejtë greve, ose nëse nuk kemi, atëherë Gjykata të marrë vendim që greva nuk mund të realizohet në atë formë dhe se duhet të ndërpritet.



