RajonXLajme

Bullgaria thërret ambasadorin sllovak për shkak të deklaratave të presidentit Pelegrini në RMV

Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë ka thirrur në takim ambasadorin e Sllovakisë në Sofje, Vasil Hryvna, pas deklaratave të presidentit sllovak Peter Pellegrini gjatë vizitës së tij zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Sofjes, deklaratat e tij për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë janë “të papranueshme” dhe bien ndesh me qëndrimin e përbashkët të Bashkimit Evropian.

Në takim, drejtori i përgjithshëm për çështjet evropiane, Jordan Prvanov, i ka shprehur ambasadorit sllovak habinë dhe zhgënjimin e thellë të palës bullgare, duke theksuar se qëndrimet e Pelegrinit “në praktikë sfidojnë vlefshmërinë e Konsensusit Evropian të korrikut 2022”, i cili ishte miratuar nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përfshirë edhe Sllovakinë.

“Jemi thellësisht të zhgënjyer që një vend partner si Sllovakia i lejon vetes të promovojë retorikën kundërproduktive të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e cila vazhdimisht kërkon fajtorë të jashtëm për mungesën e përparimit në procesin e saj të integrimit në BE. Një qëndrim i tillë nuk është në interes as të vizionit strategjik të Bashkimit Evropian për rajonin, as të qytetarëve të këtij vendi kandidat,” theksoi Prvanov.

Në fund, Ministria e Jashtme bullgare i kujtoi qeverisë sllovake se përparimi i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së varet vetëm nga përmbushja e kritereve dhe marrëveshjeve ekzistuese, e jo nga presioni apo mbështetja politike nga vende të tjera.

Related Articles

Back to top button