LokalXLajme

Përsëritet aktvendimi për rastin “Aleanca ndërkombëtare”: Ulen dënimet për të pandehurit

Gjykata Themelore Penale në Shkup sot miratoi një aktvendim të ri në procedurën e përsëritur për rastin “Aleanca Ndërkombëtare”, me të cilin u janë shqiptuar dënime më të ulëta të pandehurve në krahasim me dënimin e shkallës së parë në vitin 2022.

Në procedurën e përsëritur, i pandehuri Bojan Jovanovski – Boki-13 u shpall fajtor për veprat penale “mashtrim” dhe “pastrim parash”, për të cilat iu shqiptua dënim i vetëm prej pesë vite burg.

Jasna Ercegoviq është dënuar me dy vjet burg për “pastrim parash”, ku koha e kaluar në arrest shtëpiak i llogaritet në dënim.

Hristina Blazhevska mori dënim me kusht prej një viti burg për “pastrim parash”, të cilin nuk do ta vuajë nëse nuk kryen një vepër penale të re brenda 3 viteve.

Mile Jovanovski është dënuar me dënim me kusht prej një viti e gjashtë muaj burg për “pastrim parash”, me të njëjtin kusht për moskryerje të një vepre të re penale. 

Personi juridik “Aleanca Ndërkombëtare” është gjobitur me gjobë me para prej një milion denarë.

Me vendimin e shkallës së parë në rastin “Aleanca Ndërkombëtare”, i cili u miratua më 7 prill 2022 nga Gjykata Themelore Penale, janë shqiptuar gjithsej 14 vjet burg për të pandehurit, Bojan Jovanovski mori një dënim prej nëntë vjetë për “mashtrim” dhe “pastrim parash”, Jasna Ercegoviq katër vjet për të njëjtat vepra penale, Hristina Blazhevska një vit për “pastrim parash”, dhe Mile Jovanovski dënim me kusht prej dy vjetësh për “pastrim parash” dhe “tregti të paautorizuar me armë”. Frosina Tashevska Remenski dhe Hristina Blazhevska u liruan nga akuza për “mashtrim”, ndërsa personi juridik “Aleanca Ndërkombëtare” u gjobit me një milion denarë.

Në prill të vitit 2024, aktvendimi fillestar u anulua nga Gjykata e Apelit e Shkupit, e cila i pranoi disa nga ankesat e të pandehurve dhe urdhëroi përsëritje të procedurës.

Gjykata e Apelit në atë kohë e konfirmoi vendimin lirues për Frosina Tashevska Remenskit dhe Hristina Blazhevskë në pjesën”mashtrim”, dhe e ridrejtoi dënimin për Mile Jovanovskin, i cili tani është dënuar me një vit burg për “trafikim të paautorizuar me armë”.

Rasti “Aleanca Ndërkombëtare” kishte të bënte me aktivitet të organizuar kriminal të lidhur me mashtrim dhe pastrim të parave përmes organizatës joqeveritare “Aleanca Ndërkombëtare”, të udhëhequr nga Bojan Jovanovski. Akuza kishte të bënte me keqpërdorime financiare, ku mblidheshin mjete nga individë dhe persona juridikë nën pretekstin për ndërtimin e shtëpive të pleqve dhe projekteve sociale.

Related Articles

Back to top button